Kallëzim penal kryetarit të Bashkisë Shkodër; masa analoge edhe ndaj disa zyrtarëve në Lezhë

11/03/2015 00:00

I padituri i radhës nga ana e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit është kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka.

Së bashku me të janë kallzuar edhe ish-anëtarët e KRRT-së, si dhe shtetasja Aida Shllaku, aktualisht drejtore e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit.

Sipas njoftimit të inspektoriatit, janë disa rastet kur këta shtetas me funksione të larta publike kanë shkelur parashikimet e detyrueshme ligjore, duke miratuar leje ndërtimi në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi.

Inspektoriati pretendon se këto shkelje janë bërë si kur zyrtarët në fjalë kanë qenë funksionarë të KRRT-së, si dhe në detyrat që ushtrojnë aktualisht.

Po ashtu, IKMT ka kallëzuar penalisht edhe shtetasit Sezai Kraja, me detyrë kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të kësaj bashkie, si dhe shtetasit Isa Gjonkecaj e Arben Llalloçi, që kanë ushtruar po këtë detyrë në periudha të ndryshme kohore.

Akuza edhe për këta persona është “shpërdorim detyre” për shkak të mosrespektimit të urdhëresave ligjore për vazhdimin e proçedurave, si dhe zbatimit të vendimeve të marra.

IKMT kërkon nga institucionet e drejtësisë marrjen e masës së pezullimit nga detyra për shtetasit që ushtrojnë aktualisht funksione publike.

Proçedimet penale gjatë kësaj të enjteje kanë vijuar ndaj 3 funksionarëve të Komunës Shënkoll të Lezhës. Bëhet fjalë për kryetarin e komunës, përgjegjesen e seksionit urbanistik dhe përgjegjesin e Inspektoriatit Vendor.

Dyshohet se këta zyrtarë kanë lëshuar një leje ndërtimi duke shkelur proçedurat ligjore për një objekt në pronësi të një shtetasi nga Shënkolli, për të cilin janë referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Më herët, kreu i komunës Simon në Lezhë u proçedua penalisht po për
abuzim detyre, por për qëllime të tjera. Kjo, pasi rezulton se ai ka
falsifikuar një vërtetim për gjakmarrje për një shtetas që donte të
përfitonte azil.

Top Channel