Ministria e Financave: Pse e shtymë afatin e bonove të privatizimit dhe kategoritë që përfitojnë

11/03/2015 00:00

Qeveria ka shtyrë deri në fund të vitit 2016 afatin e përdorimit të bonove të privatizimit, duke synuar t’u vijë në ndihmë të gjithë atyre individëve që posedojnë ende bono, për t’i përdorur ato, aty ku është parashikuar.

Ministria e Financave ka shpjeguar sot arsyet e shtyrjes së afatit dhe kategoritë që përfitojnë nga vendimi më i fundit i qeverisë. Sipas Ministrisë së Financave, aktualisht bonot e privatizimit dhe lekët e privatizimit, sipas dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi përdoren: në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale; në llogaritjen e formulës së privatizimit në shoqëritë aksionare për punonjësit që cilët shkëmbejnë bonot e privatizimit me aksione; në procesin e privatizimit të SME-ve; nga ish-pronarët e truallit, që gëzojnë të drejtën e parablerjes (pagesën për objektin apo ndërmarrjen që privatizohet duhet ta kryejnë 20% me lekë dhe 80% me bono dhe lekë privatizimi); në privatizimin e objekteve shtetërore të dhëna me kontratë qiraje apo enfiteozë (këto objekte u shiten drejpërsëdrejti qiramarrësve apo enfiteozmarrësve dhe vetëm objekti bashkë me makineritë dhe pajisjet, nëse kanë, duhet t’i paguajnë deri 80% të vlerës së tyre me bono dhe lekë privatizimi).

Ndryshimi i fundit, sipas dikasterit të Financave, parashikon zgjatjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit dhe lekëve të privatizimit në procesin e privatizimit të pronës shtetërore, në llogaritjen e formulës së privatizimit për punonjësit në shoqëritë aksionare dhe në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale.

Por ku mund të përdoren bonot e privatizimit deri në në fund të vitit të ardhshëm? Për Ministrinë e Financave, meqenëse në procesin e privatizimit të pronës shtetërore vazhdon të mos jenë përfshirë akoma një numër i konsiderueshëm objektesh, kryesisht në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, asaj të së Bujqësisë apo dhe të organeve të pushtetit vendor, etj, si dhe, duke gjykuar se shumë prej këtyre objekteve shtrihen në pronat e ish-pronarëve, të njohur apo kthyer me Vendime të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, është gjykuar se duhet të vazhdojnë lehtësirat për ish-pronarët, duke e likuiduar një pjesë të vlerës së këtyre objekteve, në rast parablerjeje, me bono privatizimi.

Shtyrja e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit (lekë privatizimi) i shërben edhe llogaritjes së aksioneve për punonjësit në shoqëritë aksionare, ku punonjësit e këtyre shoqërive përfitojnë aksione në këmbim të bonove të privatizimit. Ministria e Financave thotë se, në mbarë vendin rezultojnë të paktën 344 shoqëri tregtare, ku institucionet publike janë aksionarë të plotë apo të pjesshëm. Në shoqëritë tregtare, kur ka të dhëna të plota për pjesën e aksioneve për punonjësit e shoqërisë dhe për ish-pronarët e truallit, qeveria ka të drejtë të përcaktojë paketën e aksioneve, që i ofrohet blerësit të vetëm dhe nxjerr urdhrin përkatës për privatizim.

Gjithashtu, akti i ndërmarrë nga Ministria e Financave ndihmon përdorimin e bonove të privatizimit dhe lekëve të privatizimit në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje nëpërmjet ALUIZNI-t, ndërkohë që ky proces është në vazhdimësi.

Sipas të dhënave zyrtare, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë. Nga këto, janë përdorur deri tani në proces privatizimi 10 miliardë lekë, ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjera. Në procesin e privatizimit masiv u përdorën vetëm një pjesë e vogël e tyre, 14.59% e totalit ose 21.35% e bonove të privatizimit të shpërndara.

Bonot e privatizimit kanë pasur dy destinacione masive, grumbullimi në fonde investimi dhe përdorimi në procesin e legalizimit. “Anglo-Adriatica” ka qenë një nga fondet e investimit të krijuara gjatë qeverisjes së parë të PD-së, por nuk arriti të futej në privatizimet strategjike. Ajo mblodhi bonot e rreth 200 mijë shqiptarëve, të cilët dorëzuan letrat me vlerë në vitet 1994-1999 në degë të hapura në të gjithë vendin.

Vlera e bonove të investuara në sipërmarrje ishte afro 120 milionë dollarë. Ato u depozituan tek ish-Banka e Kursimeve. Vlera e Bonove të privatizimit është luhatur në varësisë të përfshirjes së tyre në sferën ekonomike nga qeveria.

Vlera e bonove është luhatur ndër vite duke rënë nga 17-18% në vitin 1998, në 12% para katër vitesh, kur edhe u lejua përdorimi i tyre për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Që atëherë, bonot janë zhvlerësuar. Vlera e tyre duket se po rritet sërish pas përfshirjes në ligjin për legalizimet.
 

Top Channel