Rusia akuzon BE-në, Lavrov: Burokratët e Brukselit nxisin tensione

11/03/2015 00:00

Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, e akuzoi Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, dhe burokratët e Brukselit, siç i quajti ai, për nxitjen e tensioneve mes bllokut dhe Moskës.

Disa prej anëtarëve të BE-së dëshirojnë të kenë marrëdhënie të mira me Kremlinin, – ishin komentet e Lavrovit në konferencën për shtyp, të mbajtur në kryeqytetin rus, pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm të Spanjës, Jose Manuel Garcia-Margallo. Por, ka njerëz që nuk e duan një gjë të tillë, shtoi ai, duke e ilustruar me komentet e z. Tusk, që sipas kryediplomatit rus, gjatë një takimi me Barak Obamën ka kërkuar ndjesë për faktin që BE-ja nuk veproi ndaj Moskës po aq shpejt sa edhe Shtetet e Bashkuara.

“Nëpër të gjithë procesin e ndërtimit të konsensusit, vetë shtetet anëtare të Bashkimit Europian duhet të përcaktojnë limitet e sjelljes së zyrtarëve që ulen në karriket e Brukselit dhe bëjnë deklarata në emër të 28 shteteve të grupit. Ajo që po ndodh aktualisht është se burokracia e BE-së është duke e nxitur qëllimisht konfrontimin e Rusisë me bllokun”, tha Lavrov.

Reagimi i tij erdhi pak pas bisedimeve të z. Donald Tusk me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë, të përqendruara mes të tjerash edhe tek armëpushimi i Ukrainës. Në takim, presidenti amerikan këmbënguli që Shtetet e Bashkuara dhe Europa të sigurojnë një vëzhgim të efektshëm ndërkombëtar të pushimzjarrit në rajonet lindore.

Shefi i Këshillit Europian, nga ana e tij, foli për ata që i quajti “armiq” dhe njerëz që po vënë në pikëpyetje e po sulmojnë vlerat themelore të demokracisë liberale.

Ish-kryeministri polak është një prej kritikëve më të fuqishëm të rolit të Moskës në trazirat disa mujore të Ukrainës dhe këmbëngul për sanksione akoma më të ashpra mbi Rusinë.

Top Channel