ISIS përdor të mitur për ekzekutime

11/03/2015 00:00

Për ekzekutime, ISIS-i tani po përdor edhe fëmijë të mitur. Në videon më të fundit të hedhur në internet nga militantët e grupit të dhunshëm ekstremist shihet një djalë i vogël tek të dymbëdhjetat sesi qëllon me armë zjarri një të burgosur arabo-izraelit.

Viktima, i identifikuar si Muhammad Said Ismail Musallam, akuzohej si spiun. 19-vjeçari, nga sa pretendojnë xhihadistët, është hequr si luftëtar i huaj kur iu bashkua Shtetit Islamik në Siri, por më vonë ka rrëfyer dhe vetë se punonte për Mosadin. Si qeveria izraelite, ashtu edhe familja e Musallamit, e mohojnë me forcë një gjë të tillë.

Babai i viktimës tregon: “Luftëtarët e ISIS-it e kapën në kufirin turk, kur po përpiqej të kthehej në shtëpi. E kanë detyruar të bëjë ato rrëfimet që kemi parë në video. Shteti Islamik i bën gjëra të tilla sepse ka një objektiv shumë të qartë: ai kërkon të frikësojë të gjithë botën.”
 
Sipas babait të 19-vjeçarit, i biri ishte zhdukur pas një udhëtimi si turist në Turqi. Të dy kishin komunikuar në telefon kur Muhammad ndodhej në Raqqa, fortesa e ISIS-it në veri të Sirisë. Disa muaj pasi kishte shkuar në këtë vend, një publikim online i lidhur me Shtetin Islamik nxori një intervistë të bërë me të riun arabo-izraelit, ku ai pohonte se ishte dërguar nga Mosadi për tu infiltruar në radhët e grupit ekstremist.

Nuk dihet se kush është 12-vjeçari që e qëllon me plumb në kokë, ndërsa i rrituri në krah të tij është një militant frengjishtfolës, i cili lëshon disa kërcënime kundër hebrenjve në Francë.

Top Channel