SHBA: Lista me 9 deputetët, trillim. Nuk kemi cilësuar asnjë “non grata”

11/03/2015 00:00

Ambasada Amerikane ka hedhur poshtë të gjitha aludimet, përfshirë një artikull të organit të PD-së, “Rilindja Demokratike”, se kjo ambasadë ka hartuar një listë me 9 deputëtë “non-grata”.

“Artikulli, i botuar fillimisht në gazetën “Rilindja Demokratike” ditën e djeshme, i cili i referohej një liste me nëntë deputetë të Parlamentit që ishin cilësuar “non grata” nga Ambasada Amerikane, është tërësisht një trillim. Ambasada vëzhgon nga afër çështjet që kanë lidhje me krimin dhe korrupsionin në të gjitha partitë politike, por nuk e ka hartuar një listë të tillë”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Në vijim të deklaratës, selia diplomatike përsërit edhe njëherë rëndësinë e pastrimit të forcave politike nga elementët e inkriminuar.

“Ne përsërisim deklaratën tonë të 2 marsit dhe nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale, apo korruptive, si dhe mbështesim me forcë punën e Kuvendit për të hartuar një legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014”, nënvizon njoftimi.

Mbrëmjen e së martës, Ambasada Amerikane sqaroi të gjithë tymnajën e ngritur në lidhje me krijimin e grupit parlamentar të miqësisë amerikano-shqiptare.

“Mbledhja inaguruese e grupit të miqësisë amerikano-shqiptare u shty për shkak të klimës politike aktuale në Parlament dhe mungesës së vullnetit të Partisë Demokratike për të marrë pjesë në mbledhje”, sqaroi ambasada.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i opozitës, e cila në një deklaratë për mediat tha se, “PD mbështet shtyrjen e mbledhjes përuruese të grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-SHBA”.

“Një mbledhje e tillë me praninë e Ilir Metës si kryetar Kuvendi, ndërkohë nën hetim dhe akuzë, si dhe me pjesëmarrjen e disa deputetëve të cilët do duhej të ishin objekt i dekriminalizimit është gjykuar e papërshtatshme për pjesëmarrjen e saj”, thuhet në deklaratë.

Top Channel