Policia, kontrolle të rrepta për protestën

11/03/2015 00:00

Policia ka të dhëna se gjatë protestës së të enjtes mund të qarkullojnë njerëz të armatosur për të krijuar trazira. Nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato deklaroi se do të kontrollohen ambjente dhe persona që dyshohen se do të qarkullojnë armë.

“Në kuadër të këtyre masave dhe vlerësimit të disa informacioneve nga institucionet ligjzbatuese, Policia e Shtetit do të ushtrojë kontrolle në të gjitha akset rrugore, si dhe tek persona e mjedise me qëllim identifikimin dhe kapjen e individëve që mund të lëvizin me armë e që mund të synojnë kryerjen e akteve të paligjshme gjatë protestës”, deklaroi Qato.

Qato kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimn e rrugëve dhe u apeloi atyre që të lëvizin me karta identiteti gjatë protestës.

“Polica kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimin e disa akseve rrugore në Tiranë dhe u kujton atyre detyrimin për të qenë të pajisur me dokumente identifikimi e t’ua tregojnë ato agjentëve nëse do t’u kërkohet”, vijoi Qato.

Informacioneve që u referohet nëndrejtori kanë ardhur si nga strukturat e Policisë së Shtetit, ashtu dhe nga ato të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Informacionet e këtij të fundit madje kanë qenë edhe me zona të evidentuara, prej nga mund të vijnë personat më problematikë, si zonat e periferisë së Tiranës apo Durrësit, por edhe zonat e nxehta të veriut të vendit.

Top Channel