Në një përpjekje për të mbushur arkat e zbrazura të shtetit, por edhe të bankave të vendit, qeveria greke ka vendosur të shpallë një amnisti fiskale duke bërë thirrje për rikthim të kapitaleve të depozituara jashtë Greqisë, ose të atyre që janë tërhequr dhe janë të fshehura brenda vendit por të padeklaruara.

Sipas vlerësimeve, më shumë se 100 miliardë euro janë tërhequr nga bankat greke prej vitit 2010, kur depozitat para krizës arrinin në rreth 233 miliardë.

Nëse llogariten edhe 120 miliardë euro të tjera, që sipas ministrit të Shtetit kundër korrupsionit, janë të fshehura në llogari jashtë vendit, duket se plani i qeverisë greke do të sjellë goxha të ardhura.

Sipas gazetës “Ta Nea”, qeveria do të vendosë një taksë rreth 15% për të gjithë ata grekë që deklarojnë depozitat e fshehura në bankat e huaja, duke mos pasur paralelisht edhe asnjë dënim penal.

Personat fizikë apo juridikë do të mund t’i mbajnë ato depozita atje, por me kusht që të paguajnë këtë taksë në Greqi. Nëse do t’i sjellin në bankat greke ose do t’i investojnë, ky koefiçient do të jetë më i ulët.

Ndërsa ata që nuk do të deklarojnë depozitat e fshehura, si dhe të ardhurat që mund të kenë jashtë vendit do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë dhe do të përballen me ligjin.

Projektligji që po harton qeveria vjen në një moment tepër kritik për Greqinë, që përballet jo vetëm me mungesë likuiditeti, por edhe presion kohor e politik nga partnerët e saj, të cilët i kërkojnë Athinës të zbatojë reformat financiare me kusht dhënien e këstit të paketës së ndihmës.

Sipas mediave vendase dhe të huaja, ky boshllëk financiar është aq i madh sa qeveria Tsipras do të përdorë për të bërë pagesat e saj ndaj huadhënësve në këto dy muaj fondin e skemave të pensioneve dhe sigurimeve sociale prej 2 miliardë eurosh, që janë edhe paratë e fundit që disponon shteti nëse nuk rimbursohet nga BQE.

Top Channel