OSBE: Durrësi, qytet strategjik në Ballkan

11/03/2015 00:00

Situata e sigurisë kufitare në Durrës është vlerësuar si një rast pozitiv nga kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Florian Rauning dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Gjatë një vizite në këtë qytet, zoti Rauning tha se Durrësi dhe zhvillimi i tij duhen parë jo thjesht në kontekstin kombëtar, por edhe në atë rajonal.

“Roli i Durrësit duhet parë në kuadrin rajonal. Forcat kufitare garantojnë fluksin e njerëzve nga kjo portë e madhe. Personalisht kam ngelur shumë i kënaqur nga shërbimet e policisë kufitare. Kjo polici është si pasaportë e vendit, është në ndihmë të biznesit dhe turizmit”, deklaroi Rauning.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i policisë, Artan Didi vlerësoi përmirësimin e ndjeshëm të shërbimeve në këtë pikë kufitare, si dhe rritjen e sigurisë në të gjithë vijën bregdetare që kontrollon policia lokale.

Ndërkohë, zoti Rauning pati dhe një takim me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, në të cilin mori pjesë edhe kryetari i komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare, Spartak Braho.

Sipas Rauning, qyteti i Durrësit është një pikë kyçe në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe ka potenciale të mjaftueshme për të qenë një urë lidhëse mes Evropës lindore dhe asaj perëndimore.

Gjatë këtij takimi, diplomati austriak shprehu bindjen se adminitrata shqiptare është teknikisht mjaft e përgatitur për të zhvilluar zgjedhje sa më të mira, korrekte dhe të ndershme.

Top Channel