Presidenti Nishani, vizitë zyrtare në Katar

11/03/2015 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, po zhvillon një vizitë zyrtare në Katar, i shoqëruar nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, dhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti.

Zoti Nishani u prit të mërkurën nga Emiri i Katarit, Sheikh Tamin Bin Hamad Al-Thani. Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer që Emiri dhe shteti i Katarit i kanë dhënë Shqipërisë ndër vite duke e mbështetur financiarisht dhe me projekte konkrete zhvillimin ekonomiko-social të vendit që pas daljes nga izolimi i regjimit komunist, por edhe për nxitjen e investimeve të Katarit në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë Presidenti Nishani e falënderoi Emirin për ndihmën financiare të dhënë për përballimin e përmbytjeve të fundit në zonat e jugut të Shqipërisë.
 
Në njoftimin për shtyp të Presidencës lexohet se “Presidenti i Republikës vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve” dhe “vlerësoi nevojën e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe krijimit të lidhjeve mes universiteteve shqiptare dhe Fondacionit të Katarit për Arsimin, Shkencën dhe Inovacionin”. Zoti Nishani parashtroi interesin e Shqipërisë për investime direkte të Katarit në fusha me interes për të dy vendet, veçanërisht në fushën e turizmit, infrastrukturës e të transportit ajror dhe atij detar, por dhe në fushat e bujqësisë dhe energjisë.
 
Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu kontributin e Emirit Baba të Katarit, si dhe të Shtetit të Katarit në mbështetjen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës, si një kontribut shumë domethënës për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
 

Top Channel