I dyshuari për vrasjen e Nemtsov: Pranova krimin prej torturave

11/03/2015 00:00

Rrëfimin e vrasjes së Boris Nemtsovit e kam nxjerrë nën torturë. Këtë i ka thënë një anëtari të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Rusi, Zaur Dadajev, i dyshuari kryesor për ekzekutimin e politikanit të njohur të opozitës, të qëlluar për vdekje teksa shëtiste në afërsi të Kremlinit.

Andrei Babushkin e vizitoi ish-oficerin çeçen të sigurisë të martën, e thotë se ka parë “plagë të shumta në trupin e tij”, çka provojnë se është torturuar. I dyshuari vetë tregoi sesi e kanë mbajtur për dy ditë të lidhur me një qese në kokë dhe këmbëngul se pranoi përgjegjësinë për një krim, në të cilin s’ka gisht, vetëm që të lirohej shoku i arrestuar bashkë me të.

“Ka arsye reale për të besuar se Zaur Dadayev ka rrëfyer për shkak të torturave. Pretendimet e tij, gjithsesi, duhen verifikuar vetëm nga persona që nuk janë të përfshirë në hetimin zyrtar të Moskës”, tha Andrei Babushkin, Këshilli i të Drejtave të Njeriut, Rusi.

Babushkin i bëri këto komente pas vizitoi në burg Dadajevin dhe personin e dytë të akuzuar nga Kremlini për vrasjen e Nemstovit, Shagid Gubashev. Dadayev i ka treguar atij dhe pjesëtarëve të tjerë të delegacionit shenjat e prangave në duar dhe ato të litarëve, që i kanë shtrënguar këmbët pas arrestimit në Ingusheti të shtunën.

Ish-polici shtoi se kishte dashur të fliste përpara gjyqit, të dielën, mbi arsyet e vërteta të rrëfimit, por nuk i ishte dhënë kurrë mundësia të hapte gojë. Të gjithë të prangosurit e rastit “Nemtsov” janë me origjinë çeçene. Hetuesit janë duke i kanalizuar kërkimet te pista e vrasjes për arsye islamike, çka hidhet poshtë nga liderë të tjerë të opozitës ruse, si pretendim krejtësisht i palogjikshëm.

Top Channel