Shqipëri-Kosovë, njihen diplomat për universitetet e akredituara

11/03/2015 00:00

Kosova dhe Shqipëria kanë vendosur t’i heqin të gjitha barrierat për njohjen reciproke të diplomave universitare. Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe homologu i saj kosovar, Arsim Bajrami janë pajtuar në Prishtinë që të rinjve, të cilët studiojnë në cilindo universitet të akredituar në Kosovë apo në Shqipëri, t’u njihen diplomat nga të dy shtetet.

“Do të krijojmë një sistem plotësisht të lehtësuar të njohjes së diplomave dhe absolutisht, cilado diplomë e njohur në Republikën e Kosovës do të jetë e njohur edhe në Republikën e Shqipërisë, si dhe cilado diplomë universitare që do të njihet nga autoritetet kompetente të Shqipërisë do të jetë në mënyrë automatike e njohur edhe në Republikën e Kosovës”, tha Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Ky do të jetë realiteti në njohjen e shpejtë të diplomave pa ato barrierat burokratike, sigurisht duke ofruar besim te publiku përmes verifikimit, jo vetëm të kritereve të ligjit, por edhe verifikimit të kritereve të cilësisë. Sigurisht, diplomat që njihen nga institucionet respektive nuk kanë më vend për komente të tjera, përveç se për t’u mbështetur në rrugën e suksesit”, tha Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit.

Ministrat e Arsimit kanë diskutuar edhe për vazhdimin e unifikimit të planprogrameve mësimore në të gjitha nivelet e arsimit. Ministrat e Arsimit janë pajtuar që të formojnë grupe pune për krijimin e grupeve të trajnerëve për përgatitjen e mësimdhënësve, në zbatimin e planprogramit të unifikuar të arsimit parauniversitar.

Bajrami e Nikolla kanë vendosur që shumë shpejt të fillojnë një traditë të re bashkëpunimi, për të organizuar siç i quajtën ministrat “ditët e hapura”, ku nxënësit, prindërit dhe komuniteti i mësimdhënësve do të kalojnë një ditë në Tiranë dhe një në Prishtinë.

Po ashtu, ministrat janë pajtuar që në javët e ardhshme të organizojnë një konferencë ndërkombëtare në Prizren, me pjesëmarrje të rektorëve dhe ekspertëve e studiuesve shqiptarë e të huaj. Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, ministrja Lindita Nikolla është takuar edhe me presidenten Atifete Jahjaga, ministrat e Kulturës, Diasporës si dhe me përfaqësues të Akademisë së Arteve dhe Shkencës dhe përfaqësues të Universitetit të Prishtinës.

Top Channel