Ligji i ri për diplomatët, Dade-Blushi përplasen me Bushatin

11/03/2015 00:00

Përkundër nga sa pritej, as në seancën e pasdites së mërkurë nuk janë sheshuar mosmarrëveshjet Komision-Ministri për ligjin e shërbimit të jashtëm.

Madje, tonet janë acaruar edhe më tej kur Ditmir Bushati, përveç kritikave nga grupi i tij parlamentar për ligjin e ri, është vënë edhe përballë akuzave për emërimet në krye të shërbimeve diplomatike.

“Kandidatët për ambasadorë që Ministria e Jashtme ka sjellë për t’u akredituar në vende të caktuara, nuk kanë pasur cilësinë e duhur në gjykimin tonë, për t’u klasifikuar si ambasadorë. Më vjen keq të them që, me gjysmë zëri dhe gjysmë zemre kemi votuar për këta njerëz”, tha Ben Blushi.

“Merrni një emigrante dhe e vini konsulle të përgjithshme? Më vjen keq tani. Një emigrante që di vetëm të kapërcejë pengesat e të vrapojë, dhe e keni bërë konsulle të përgjithshme. Këtë nuk e kam bërë unë, e keni bërë ju”, u shpreh Arta Dade.

“Mos të hyjmë në shqyrtimin e CV-ve të njerëzve të përmendur, sepse mund të dalin kampione, ose imazh pozitiv”, replikoi ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

“Përtej faktit që kjo zgjedhje nuk u bë transparente, mirë do ishte që edhe Komisioni të merrte informacion”, deklaroi më tej Arta Dade.

“Këtë gjë e ka thënë vetëm Presidenti i Republikës dhe personi i dytë që po e thoni jeni ju. Kjo është një çështje shumë e rëndë. E ka thënë Presidenti i Republikës, por nuk është e vërtetë, dhe ua them me garanci të plotë”, deklaroi më tej ministri Bushati.

Neni që deputetët dhe Ministria nuk bien dakord është ai për kuotat e ambasadorëve. Bushati propozon heqjen e kuotave që parashihte ligji i vjetër, sipas të cilit 80 për qind e ambasadorëve vinin nga sistemi diplomatik dhe 20 për qind ishin emërime politike.

Në kushtet kur ligji është shkelur, duke përmbysur madje raportin në favor të emërimeve politike, Ditmir Bushati propozon në ligjin e ri heqjen e kuotave dhe vendosjen e kriterit të shërbimit në diplomaci të një periudhe 10-vjeçare për t’u bërë ambasador.
Por deputetët e mazhorancës në Komisionin e Jashtëm e kundërshtuan, pasi sipas tyre kjo i jep të drejtë ministrit për emërime politike, duke u shoqëruar me rrezikun, sipas Arta Dades, të shndërrimit diplomatik në 100 për qind politik.

“Pra atë që Saliu e kishte bërë me VKM dhe që dilte mbi ligjin, ne e marrim dhe e integrojmë në ligj”, reagoi Arta Dade.

“Kjo bën që të gjithë ambasadorët e Republikës së Shqipërisë të jenë emërtesa politike, pra jashtë shërbimit diplomatik. Ka të drejtë kryetarja e Komisionit, që thotë dakord, por jepini këtij Komisioni të drejtën e vetos”, shton më tej Ben Blushi.

“Në ligj kemi vendosur për herë të parë konceptin e konkursit të përgjithshëm. Pra, jo një konkurs për vend pune, por konkurs për t’u pranuar në shërbim”, tha ministri Bushati.

“Unë uroj që të bindemi për këtë formulim, nëse nuk bëhet, është seanca parlamentare që do ta votojë. Sigurisht që nuk do rrimë të tregojmë se kush i ka më të fortë muskujt, sepse dihet që Qeveria ka një përgjegjësi më të madhe lidhur me shërbimin e jashtëm”, tha kryetarja e Komisionit, Arta Dade.

“Nuk jeni dakord, nuk e keni këtë besim, unë i pari dal vullnetar dhe them le të hiqet në të dyja pikat dhe do ta respektoj vendimin tuaj”, përfundoi deklaratën ministri Bushati.

Top Channel