Kosovë, deklarimi i pasurisë, falen ata që harrojnë por nuk fshehin

11/03/2015 00:00

Zyrtarët kosovarë nuk do të ndiqen më penalisht, nëse gabimisht nuk deklarojnë në Agjencinë Antikorrupsion diçka nga pasuria e tyre, por vetëm nëse një gjë të tillë e bëjnë me qëllim fshehjen e pasurisë.

Pikërisht kjo çështje pritet të saktësohet në Kodin Penal të Kosovës, pas propozimit të Qeverisë. Bëhet fjalë për nenin 437, paragrafin e parë dhe të dytë, sipas të cilave çdo person që është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë dhe që nuk e bën një gjë të tillë dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 vjet.

Ndryshimet që pritet të bëhen, sipas ministrit të Drejtësisë, do të shmangin akt-akuzat që ngrihen për gabime teknike gjatë deklarimit të pasurisë.

“Mendojmë të amendojmë këtë pjesë të Kodit Penal, konkretisht nenin 437, paragrafi i parë, ku duhet të shtohen fjalët ‘me qëllim të fshehjes’. Pra, njerëzit që bëjnë për qëllim të fshehjes së pasurisë deklarata të rreme, duhet të kenë akt-akuza dhe të dënohen. Por ka edhe njerëz që mund të bëjnë gabime teknike, sikurse ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës në ndonjë rast, ku njerëzit nuk kanë deklaruar ndonjë pozicion si kryetar komisioni. Në anën tjetër, kanë rezultuar rreth 1000 akt-akuza për veprime të tilla, dhe besoj se prokurorët kanë qenë në hall, qoftë edhe gjyqtarët për kandidatë të tillë. Po ashtu, edhe paragrafi i dytë i këtij neni, pas fjalës ‘në deklaratë’ të shtohen ‘nëse e ka bërë me qëllim të fshehjes së pasurisë’, dhe unë mendoj që kjo është e mjaftueshme, që persona të tillë, kur i deklarojnë në mënyrë të rreme të dënohen, por jo edhe për gabime teknike, gabime që mund të jenë veprime të tjera, por jo që të rezultojnë në veprime penale”, tha Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.

Në mbledhjen e ekzekutivit, të mërkurën, u bë e ditur se është themeluar grupi i punës në kuadër të Zyrës së Kryeministrit për hartimin e Strategjisë 2015-2020 për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizimit, që shpie në Terrorizëm.

Gjatë mbledhjes, Kryeministri Isa Mustafa informoi kabinetin qeveritar për vizitën zyrtare në Republikën e Shqipërisë, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Hashim Thaçi dhe Kujtim Shala. Sipas burimeve zyrtare, një grup punues do të mblidhet të enjten për të bashkërenduar marrëveshjet në fushat konkrete të mbledhjes së përbashkët, që do të mbahet më 23 mars në Tiranë.

Top Channel