Përmirësohet skema e sigurimeve, për herë të parë më shumë kontribues se përfitues

11/03/2015 00:00

Për herë të pare në 25 vite, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka regjistruar 650 mijë qytetarë, të cilët paguajnë sigurimet kundrejt 600 mijë pensionistëve.

“Më parë kemi pasur 600 mijë pensionistë dhe 560 mijë të punësuar që paguanin kontribute. Sot kemi 650 mijë qytetarë që paguajnë kontributet dhe 600 mijë pensionistë”, deklaroi ministri Erjon Veliaj.

Çdo vit, nga buxheti i shtetit shpenzohen 250 milionë dollarë për ndihmën ekonomike dhe për pagesat e personave me aftësi të kufizuar. Veliaj tha se partitë politike kanë abuzuar me këto fonde, duke shpërblyer militantët partiakë.

“Ky fond, 250 milionë dollarë, s’mund të jetë një depozitë me të cilën qeveria bën qoka me paratë e taksapaguesve. Përkundrazi, ne e kemi marrë seriozisht për t’i përmirësuar këto skema. Deri pak më parë ka qenë një mënyrë që partitë të shpërblenin militantët dhe jo vetëm që nuk targetohej varfëria, por nuk kishte duk as tek ata që i merrnin. Kemi pasur pagesa të ndihmës me mesatare të pjesshme 15 mijë lekë dhe të plotat 30 mijë. Sot jemi në një situatë, ku të pjesshmet janë deri në 46 mijë, të plotat deri në 86 mijë”, saktësoi Veliaj.

Por, edhe pse Ministria e Mirëqënies Sociale deklaron se pagesa për ndihmën ekonomike duhet shtuar, ish-zëvendësministri i këtij dikasteri, Kastriot Sulka, tha se shumë persona nuk e përfitojnë këtë ndihmë, edhe pse e meritojnë.

“Vazhdojnë të neglizhojnë trajtimin e këtyre njerëzve, duke zvogëluar numrin e familjeve që përfitonin nga ndihma ekonomike. Kjo është jo-humane, që në rastin e këtyre familjeve jo vetëm që nuk marrin ndihmën që shteti detyrohet t’u japë nga pikëpamja sociale, por u tregohen me gisht arsyet përse nuk i marrin dhe duhet të shkojnë në Tiranë për t’i marrë”, tha Sulka.

Në këtë takim, ku u diskutua mbi reformën sociale dhe shqiptarët, Veliaj tha se skema sociale është mbështetur në 5 shtylla të rëndësishme: reformimi i skemës së pensioneve, të tregut të punës, arsimit profesional, pagesat sociale, si dhe dëmshpërblimi i të përndjekurve që do të shoqërohet me  hapjen e dosjeve. Të gjitha këto, sipas tij, kanë sjellë ndryshimet e para në disiplinimin e tregut.

Top Channel