Kosovë, ligji për luftërat e huaja, gati për miratim në Kuvend

11/03/2015 00:00

Projektligji për ndëshkimin e kosovarëve, që marrin pjesë në luftërat e huaja, i ka kaluar të gjitha procedurat dhe tani është gati për miratimin përfundimtar nga Kuvendi i Kosovës.

Komisioni parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri procedoi me shumicë votash projektligjin dhe disa amendamente të propozuara nga Grupet parlamentare, me përjashtim të amendamenteve të propozuara nga Vetëvendosje, të cilat nuk e morën mbështetjen e komisionit.

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Daut Haradinaj tha se amendamentet e deputetit të Vetëvendosjes, që nuk i mbështeti Komisioni, mund të paraqiten në seancën e Kuvendit kur të miratohet projektligji.

“Propozimi i deputetit Rexhep Selimi natyrisht që shkon në seancë. Ky propozim është pa përkrahjen e komisionit, por seanca i jep dritën jeshile. Me siguri, që deputeti Selimi e di shumë mirë që ka të drejtë t’i mbrojë qëndrimet e veta brenda seancës dhe, natyrisht, në rast se i bind deputetët, mund ta marrë besimin e tyre”, tha Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i cili ishte kundër këtij projektligji, tha se amendamentet e tij do t’i paraqesë në seancë plenare dhe deputetët do të vendosin.

“Ne e kuptojmë se komisioni ka për detyrë që, pas amendimeve, t’i rekomandojë seancës së Kuvendit që ta votojë ose jo projektligjin. Gjatë votimit do të duhet të kërkohet se çfarë t’i rekomandojmë seancës. Rekomandimet ose amendamentet e mia, që unë i rekomandoj në emër të Grupit tim Parlamentar, do t’i parashtroj në seancë dhe gjatë votimit të amendamenteve shpresoj që edhe Kuvendi, në bazë të rregullores, t’i procedojë dhe unë do t’i arsyetoj ashtu siç i kam arsyetuar këtu”, tha Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes.

Lëvizja Vetëvendosje është kundër projektligjit për ndëshkimin e kosovarëve që luftojnë jashtë, për shkak të përgjithësimit të kësaj kategorie. Vetëvendosje ka kërkuar që ligji të specifikojë luftërat dhe vendet, pasi sipas Vetëvendosjes ligji aktual do t’i ndëshkojë kosovarët, nëse në të ardhmen mund të jenë pjesë e një lufte në Shqipëri apo Luginën e Preshevës.

Top Channel