Veteranët e luftës së UÇK-së, në protestë për zvarritjet

11/03/2015 00:00

Zvarritja e procesit të regjistrimit të veteranëve të luftës së UÇK-së dhe publikimit të listave nga Komisioni qeveritar, ka nxjerrë të mërkurën në protestë para ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë, qindra ish-luftëtarë të UÇK-së.

Të organizuar nga Këshilli për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, protestuesit u kanë dhënë një javë kohë institucioneve, që t’i publikojnë listat e plota, si dhe një muaj kohë për fillimin e dhënies së pensioneve. Në të kundërt paralajmëruan protesta të dhunshme.

Në protestë morën pjesë ish-luftëtarë nga zona të ndryshme operative, të cilët drejtuan kritika të ashpra në drejtim të institucioneve për – siç thanë ata, – lënien pas dore të kategorisë më të rëndësishme në vend.

Ish-luftëtarët e UÇK-së qëndruan për më pak se një orë para Kryeministrisë, ndërsa objektet e saj ishin rrethuar paraprakisht nga forca të Policisë së Kosovës. Deri tani janë publikuar listat e zonave operative të Llapit, Karadakut, Nerodimës e Shalës, ndërsa është paralajmëruar që deri në javën e ardhshme të publikohen listat nga të gjitha zonat operative.

Top Channel