Casillas: I kuptojmë tifozët, por duhet të jemi të bashkuar

11/03/2015 00:00

Kapiteni i Realit të Madridit, Iker Casillas, këmbëngul se ai së bashku me shokët e tij të skuadrës janë po aq të zhgënjyer dhe të mërzitur me formën e dobët të shfaqur së fundi, sa edhe tifozët madrilenë.

Kampionët e Europës në fuqi u vërshëllyen nga tifozët e tyre në “Bernabeu”, pasi humbën 4-3 ndaj Schalke 04 në ndeshjen e kthimit të vlefshme për 1/8-at e Champions League. Gjigantët spanjollë, të cilët kishin fituar të gjitha ndeshjet e kaluara të këtij sezoni në kompeticionin më të rëndësishëm europian, arritën të kualifikoheshin falë rezultatit të përgjithshëm 5-4 (pas fitores 2-0 në Gjermani), duke i mbajtur shpresat ende gjallë pas performancës më të dobët të tyre deri më sot.

“Ajo që është më e rëndësishmja, është se mbrojtja e titullit kampion europe vijon ende për ne”, tha Casillas për faqen zyrtare të “Los Blancos”-ve në internet. “Fakti që emri i Realit të Madridit do të gjendet sërish në vazot e shortit për raundin pasardhës, është ajo që na jep shpresë për të harruar këto 10 ditë të tmerrshme, por edhe dramatike për ne. Duhet të ndryshojmë sa më shpejt të jetë e mundur, por duhet të përpiqemi të nxjerrim gjërat pozitive edhe nga këto disfata”.

“Të gjithë të pranishmit në ‘Bernabeu’ kërkojnë nga ekipi i tyre i zemrës që të fitojnë, ndaj i kuptojmë shumë mirë shqetësimet e tyre, vërshëllimat e tyre dhe mosmiratimin që treguan ndaj nesh në disa momente. Sa më shpejt që të mund ta ndreqim këtë raport me tifozët tanë, aq më mirë për ne. Kjo gjë nënkupton që ne duhet të nisim jo vetëm të fitojmë ndeshjet fizikisht, por edhe të dominojmë psikologjikisht ndaj kundërshtarëve”.

Humbja e së martës erdhi pas një tjetër rezultati zhgënjyes ndaj Athletic Bilbaos të shtunën, kur Reali u detyrua t’ia linte kreun e La Ligës rivalëve të Barcelonës.

Top Channel