Madrid, gjenden eshtrat e Miguel de Cervantes?

11/03/2015 00:00

Studiuesit, të cilët prej muajsh kanë zhvilluar verifikime mbi disa eshtra të zbuluara, të dyshuara si të “babait” të Don Kishotit, Miguel de Cervantes, janë të bindur se kanë gjetur pikërisht gjurmë të eshtrave të shkrimtarit dhe bashkëshortes së tij, Catalina de Salazar.

Eshtrat u zbuluan në kishën e murgeshave të Trinitetit, në Madrid. Bashkia e Madridit, që financon punët për hetimin e tyre, ka bërë thirrje për të mos u nxituar, sepse fragmentet e eshtrave të rikuperuara “janë në gjendje shumë të keqe”.

Bashkia bën të ditur se për momentin “nuk mund të garantohet nëse bëhet fjalë për eshtrat e Cervantesit dhe bashkëshortes së tij”. Eshtrat e pretenduara të autorit të madh spanjoll janë gjetur së bashku me disa mbetje organike të disa fëmijëve dhe të rriturve në një prej varreve.

E megjithatë, vendi i zbulimit nuk korrespondon me atë në të cilin autori i “Don Kishotit” u varros në vitin 1616, por me vendin në të cilin eshtrat e tij u transferuan gjatë vitit 1673, kur nisën punimet për reformimin e kishës, e cila ndodhej në periferinë e “de las Letras” në Madrid.

“E sigurt është se nuk do të gjejmë Cervantesin me emrin e tij të shkruar mbi arkivol”, ka thënë ironikisht mjeku i mjekësisë ligjore, Francisco Etxebarria, i cili udhëheq ekipin e studiuesve. Detajet e këtij zbulimi do të bëhen të ditura në një konferencë për shtyp nga Bashkia e Madridit, por ende e paprogramuar me datë të saktë.

Institucioni ka promovuar dhe financuar kërkimet e eshtrave të Cervantesit, për të cilin do të festohet 400-vjetori i ndarjes nga jeta, pikërisht në prill të vitit 2016. Cervantes u shpëtua nga murgeshat, pasi rrezikonte të burgosej me 5 vjet në Algjeri.

Top Channel