Slloveni, policia bastis shtëpinë e ish-kryeministres Bratusek

11/03/2015 00:00

Policia sllovene ka bastisur shtëpinë e ish-kryeministres Alenka Bratusek, këtë të mërkurë, në kërkim të provave për abuzime me postin e saj, kur kabiteni i saj e kandidoi atë vitin e kaluar si kandidate për komisionere europiane.

Kryeministrja e parë femër e Sllovenisë, Bratusek çoi ish-republikën e vogël jugosllave gjatë vitit 2013-2014 drejt krizës më të rëndë financiare, që kur vendi shpalli pavarësinë nga Beogradi në vitin 1991.

Policia bëri të ditur për “Reuters” se rreth 27 forca policie kanë kërkuar në shtëpinë e Bratusek dhe zyrat e partisë së saj, “Aleanca e Alenka Bratusek”, pas një hetimi që nisi në orët e para të mëngjesit dhe që vazhdoi edhe gjatë pasdites.

Vitin e kaluar, qeveria e qendrës së majtë e drejtuar nga Bratusek e nominoi atë si një prej 3 kandidatëve për t’u bërë anëtare e Komisionit Europian nga Sllovenia, apo pjesë e ekzekutivit të BE-së. Ajo tërhoqi kandidaturën e saj pasi anëtarët e Parlamentit Europian refuzoi atë, pas një procesi dëgjimor në Parlament.

Policia tha se Bratusek nuk ka përfituar asgjë materiale nga kandidimi i saj, por shtoi se ajo ndoshta mund të ketë “keqpërdorur postin e saj zyrtar”. Nëse shpallet fajtore, ajo mund të burgoset deri në një vit burgim.

Bratusek bëri të ditur se hetimi në shtëpinë e saj ishte “tërësisht i panevojshëm”, pasi të gjitha dokumentet në lidhje me kandidimin e saj janë dorëzuar në Komisionin Antikorrupsion prej kohësh.

Tetorin e vitit të kaluar, Komisioni tha se Bratusek nuk duket të ketë votuar për kandidaturën e saj, por e çoi këtë çështje më tej. Në dhjetorin e vitit 2013, administrata e Bratusek rikapitalizoi të gjitha bankat lokale, të cilat po fundoseshin pas një vale të gjerë të kredive të këqija, me më shumë se 3 miliardë euro nga fondet e veta. Kjo gjë i mundësoi Sllovenisë, një vend anëtar i Eurozonës, të shmangte falimentin, apo ndihmën ndërkombëtare për shpëtim.

Top Channel