PD diskuton detajet e protestës, Basha: Do të jetë madhështore dhe paqësore

11/03/2015 00:00

Në orët e mbrëmjes, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi strukturat, grupin parlamentar dhe aleatët, ku rakorduan detajet e fundit të organizimit të protestës që zhvillohet sot.

Protestuesit do të mblidhen në sheshin “Skënderbej” dhe prej andej do të marshojnë drejt bulevardit qendror, ku do të qëndrojnë përpara Kryeministrisë dhe kryesisë së Kuvendit. Një përfaqësi e deputetëve do të jenë në sallën e Parlamentit ku edhe do të mbahet seance e çdo të enjte.

Pasi doli nga mbledhja e grupit parlamentar, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se protesta e ditës së enjte është protesta e mbështetësve të PD-së, por edhe e të gjithë qytetarëve që nuk mund të përballojnë më padrejtësinë.

“Ditën e nesërme do të jetë një protestë madhështore, popullore, qytetare dhe paqësore, por vendimtare për të sotmen dhe për të nesërmen e Shqipërisë. Do të jetë një marshim proteste madhështor i qytetarëve të Tiranës dhe i të gjithë Shqipërisë, i mbështetësve të Partisë Demokratike dhe i opozitës, por dhe çdo shqiptari tjetër, i cili është i mirëpritur t’i bashkohet zërit të shumicës që nuk mund ta pranojë më keqqeverisjen. Opozita është e vendosur në kërkesat e saja, është e vendosur në dorëheqjen e Ilir Metës si kryetar i Kuvendit për t’i hapur rrugën drejtësisë. E vërteta nuk do të dalë nga një hetim i shpejt siç kërkon Kryeministri, siç u përpoq ministri i Brendshëm, por do të vijë nga një hetim i zgjeruar. Vetëm nëpërmjet transparencës shqiptarët do të mund të kurohen nga ky kancer që është bashkëjetesa e krimit me politikën dhe kapja e kreut të qeverisjes nga krimi dhe bandat e tij”, ka thënë kreu i Partisë Demokratike pas daljes nga mbledhja e grupit parlamentar.

Edhe më herët, në daljet publike të së mërkurës, të gjithë drejtuesit demokratikë i kanë mëshuar deklaratave për zhvillimin e një proteste paqësore.

Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha tha se protesta do të jetë madhështore dhe paqësore. Ai fajësoi qeverinë për gjendjen e vështirë ekonomike, por më së shumti u ndal tek akuzat e Tom Doshit.

“Kemi ardhur në këtë gjendje për shkak të një politike dhe qeverie të papërgjegjshme, por ajo që kemi parë në 10 ditët e fundit sfidon edhe fantazinë më të shfrenuar. Tani, pasi mbyllën vendet e punës, pas kontrabandës, informalitetit, pasi shtuan taksat, pasi i falën 600 mln euro CEZ, pasi rritën çmimin e energjisë duke shtyrë shumë njerëz në vetflijim, pasi shkatërruan pronat e shqiptarëve të thjeshtë, pasi u zunë e grinë me njëri-tjetrin, tani nisën të lajnë hesapet me njëri-tjetrin! Një skenar i denjë për filmat e mafias, por fatkeqësisht ky nuk është një film”, u shpreh Basha.

Kryetari i opozitës ftoi të gjithë shqiptarët për të marrë pjesë në protestë për t’i thënë, sipas tij, jo krimit në sistem, jo mafias në pushtet. Ai kërkoi që të manifestohet me pjesëmarrje, pa dhunë.

“Le ta nisim marshimin tonë nesër për të mos e ndalur deri kur të përfundojë dekriminalizimi i plotë. Kriminelët jashtë Kuvendit dhe jashtë politikës! Pa dhunë! Nuk ka nevojë për dhunë, por me forcën e pjesëmarrjes ta çojmë këtë qeveri në shtëpi”, deklaroi Basha.

Sipas Bashës opozita në qendrimin e saj për dekriminalizimin e Kuvendit dhe gjithë klasës politike ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Top Channel