Maqedoni, Zaev kërkon qeveri kalimtare; publikon përgjimet e politikanëve shqiptarë

11/03/2015 00:00

Kryetari i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë së Nikolla Gruevskit dhe formimin e një qeverie kalimtare e cila do të krijonte kushte për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

“Qeveria kalimtare do të ketë për detyrë të shkëpusë lidhjen e partive në pushtet me instituconet e okupuara, që është kusht kryesor për zgjedhje demokratike. Në përbërje të qeverisë kalimtare nuk duhet të bëjnë pjesë persona të përfshirë në veprime antiligjore. Paralelisht me këtë proces do të duhet të nisë edhe hetimi për skandalin e përgjimeve me bashkësinë ndërkombëtare”, ka deklaruar Zaev.

Zaev këto komente i bëri gjatë një konference ku u publikuan materiale të reja nga afera e përgjimeve, që sipas opozitës kanë të bëjnë me skandale të ndryshme për manipulime dhe falsifikimin e zgjedhjeve përmes kërcënimeve dhe veprime antiligjore.

Në këtë konferencë u publikuan edhe disa biseda të përgjuara që sipas Zaev janë zhvilluar mes midis shefit të shërbimit sekret maqedonas, Sasho Mijallkov me zëvendëskryeministrin Musa Xhaferri dhe me kryetarin e PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi, që dëshmojnë lidhjet e disa politikanëve shqiptarë me zyrtarët maqedonas.

Në bisedën e parë, që sipas opozitës zhvillohet midis shefit të policisë sekrete Sasho Mijallkovi dhe zyrtarit të lartë të BDI-së Musa Xhaferri, ky i fundit dëgjohet duke kërkuar nga bashkëbiseduesi i tij një shërbim në Gjykatën Administrative për zgjedhjet në komunën e Dollnenit.

Në materialin tjetër dëgjohen se si Mijallkov dhe Menduh Thaçi merren vesh që PDSH-ja të mbështesë VMRO-DPMNE-në e Gruevskit në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, për të anuluar një qendër votimi në komunën e Strumicës që drejtohet nga Zoran Zaev i LSDM-së. Por, kreu i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi tha se kjo bisedë e publikuar është e montuar.

“Asgjë e papritur nga ana ime, një petardë e xhelatëve të shqiptarëve 60 apo 70 vjet siç është LSDM-ja dhe Zaevi. Një bisedë komplet e montuar. Kjo s’më bën aspak përshtypje, vetëm u them shqiptarëve se beteja politike me xhelatët e shqiptarëve do të vazhdojë deri në vdekje. Vota e PDSH-së për ta prishur Strumicën në Komision Shtetëror ka qenë publike dhe e hapur, po ashtu publike ka qenë edhe vota e VMRO-së për ta prishur Çairin dhe për të shpallur falsifikimin e zgjedhjeve”, deklaroi Thaçi.

Nga ana tjetër, BDI-ja e Ali Ahmetit nuk ka komentuar përmbatjen e bisedës mes funksionarit të kësaj partie Musa Xhaferi dhe shefit të policisë sekrete Sasho Mijallkov.

Lidhur me kërkesën e Zaevit për qeveri kalimtare, nga BDI-ja kanë thënë se një hap i tillë nuk mund të ndërmerret pa u vendosur dialog i mirëfilltë mes partive në vend.

VMRO-DPMNE-ja e Gruevskit nuk ka komentuar kërkesën për qeveri kalimtare, ndërsa bisedat e publikuara nga opozita për funksionarët e saj i ka quajtur materiale të montuara.

Top Channel