Jeremy Clarkson ironizon pezullimin nga BBC

11/03/2015 00:00

Jeremy Clarkson hodhi paksa dritë ndaj ngjarjes së fundit të pezullimit të tij nga puna në BBC, të mërkurën, kur një peticion online i dedikuar atij për rikthimin në krye të emisionit arriti mbi 400 mijë firma.

Prezantuesi i “Top Gear” u tha reporterëve se “po dilte për të shkuar në punë”, kur ata e pikasën teksa dilte nga shtëpia e tij në Londër të mërkurën. I pyetur nëse kishte ndonjë keqardhje për atë çfarë kishte ndodhur, ai u përgjigj se “po”.

54-vjeçari u pezullua ditën e martë, pas një “kacafytjeje”, siç bëri të ditur BBC me producentin Oisin Tymon. Drejtori i Përgjithshëm i BBC-së, Tony Hall, tha se hetimi ishte në fazën e “mbledhjes së fakteve” në lidhje me incidentin.

“Nuk kemi fakte për momentin – tha ai. – Jam një fans i zjarrtë i Jeremy Clarkson, por kjo është një ngjarje serioze, që pretendohet të ketë ndodhur”.

Një avokat i zotit Tymon tha se klienti i tij “synon të presë rezultatet e hetimit të nisur nga BBC dhe nuk do të bëjë asnjë koment deri sa ai hetim të përfundojë”. Episodi i së dielës i “Top Gear” nuk do të shfaqet dhe pritet gjithashtu që edhe dy episodet e fundit të këtij seriali të mos transmetohen gjithashtu.

Peticioni online në mbështetje të Clarkson, i nisur nga “bloggeri” politik Guido Fawkes, mbërriti në rreth gjysmë milioni njerëzish, në më pak se 24 orë nga njoftimi për pezullimin e tij, pasditen e së martës.

Më herët, bashkëprezantuesi i Clarksonit, James May, tha se “mendoj se ai u përfshi në një grindje të vogël dhe nuk mendoja të bëhej kaq serioze”. Ai shtoi se nuk ka qenë i pranishëm në momentin e incidentit të pretenduar.

“Top Gear” është një prej shfaqjeve më popullore të BBC-së dhe ndër më fitimprurësit, ndërsa Clarkson ka qenë imazh i tij që prej vitit 1988. Programi ka arritur një audiencë të përllogaritur globale prej 350 milionë shikuesish.

Ish-kreu i trustit BBC, Sir Michael Lyons, tha se fokusi duhet të jetë vetëm tek incidenti, ndaj dhe popullariteti i shfaqjes së famshme nuk duhet të influencojë vendimin e koorporatës.

“Nuk ka asnjë më të madh sesa reputacioni i BBC-së”, tha ai. “Ky është një problem i bezdisshëm për kohën që ndodh, por duhet zgjidhur në bazë të fakteve mbi atë moment, jo mbi bazën e trashëgimisë së emisionit. Sigurisht që nuk mund të errësohet nga argumentet mbi fitimet e mëdha që BBC fiton prej atij emisioni. Mendoj se BBC e ka mësuar tashmë se mundet të zëvendësojë edhe emrat e mëdhenj, nëse do të jetë e nevojshme, por nuk jam duke thënë që duhet ta zëvendësojë Clarksonin”.

Më herët gjatë së mërkurës, Clarkson kishte ripublikuar një mesazh ndaj 4,5 milionë ndjekësve të tij në Twitter, nga një shikues i “Top Gear”, në të cilën shkruhej: “Si mundet BBC të mos i shfaqë episodet e mbetura të Top Gear, a mundet të zgjidhet kjo gjë pa i bërë fansat të vuajnë”.

Ai ka këmbyer sugjerime në Twitter edhe me bashkëorganizatorët e “Top Gear”, Richard Hammond dhe May, në lidhje me filmat që mund të shfaqen në hapësirën televizive të planifikuar për seritë e së dielës.

“Daily Mirror” bën të ditur se incidenti ndodhi pasi një filmimi në Newcastle, në lidhje me mungesën e ushqimit. Pezullimi i Clarksonit u njoftua përmes një deklarate të BBC-së mbrëmjen e së martës.

E megjithatë, Clarkson dhe bashkëprezantuesit e tjerë janë planifikuar të marrin pjesë në katër shfaqje të mëdha të drejtpërdrejta të “Top Gear”, nga stadiumet e Norvegjisë në fund të këtij muaji. “BBC Worldwide” ka konfirmuar se biletat për këto shfaqje janë ende në shitje. Ndërkohë, shfaqje të ngjashme do të zhvillohen në Sydney të Australisë, në prill, ashtu sikurse dhe në Britani në disa data të tjera.

Top Channel