FMN miraton programin e ndihmës prej 17,5 mld USD ndaj Ukrainës

11/03/2015 00:00

Bordi drejtues i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka nënshkruar një program 4-vjeçar ndihme prej 17,5 miliardë dollarë në favor të Ukrainës këtë të mërkurë, përpjekja e dytë kjo në më pak se një vit për të rikthyer ekonominë e saj në drejtimin e duhur dhe për të shmangur falimentin.

Një deklaratë e lëshuar nga drejtorja menaxheriale e FMN-së, Christine Lagarde, nuk jep asnjë detaj mbi sasinë e ndihmës fillestare që do t’i jepet Ukrainës, apo se në cilën periudhë kohore. Huadhënia e FMN-së pritet të zhbllokojë edhe dhënien e kredive nga donatorë të tjerë.

Duke përfshirë frytet e pritshme të bisedimeve për ristrukturimin e borxhit me mbajtësit ekzistues të obligacioneve, paketa e përgjithshme e ndihmës për vendin mund të kapë shifrën e 40 miliardë dollarëve.

“Kjo marrëveshje e re e zgjeruar 4-vjeçare do të mbështesë stabilizimin e menjëhershëm ekonomik të Ukrainës”, tha Lagarde, duke shtuar se ndihma është e nevojshme për shkak të problemeve “të zgjatura” ekonomike të vendit.

FMN miratoi vitin e kaluar një huadhënie prej 17 miliardë dollarësh ndaj Kievit përgjatë dy viteve, por ajo i konsideroi të pamjaftueshme fondet dhe ra dakord për kohëzgjatjen e programit në mbështetje të reformave ekonomike të Ukrainës, ndërkohë që qeveria vazhdon betejën me separatistët prorusë në lindje të vendit.

Rebelët prorusë dhe qeveria ranë dakord për një marrëveshje paqeje në Minsk gjatë muajit të kaluar, por të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të mëtejshme të saj.

Top Channel