SHBA, sanksione të tjera separatistëve, ndihma shtesë për Ukrainën

11/03/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj 8 separatistëve të tjerë prorusë në Ukrainë, përfshi këtu edhe një bankë ruse, ndërkohë që ka njoftuar edhe dërgimin e ndihmave të tjera jovdekjeprurëse për Kievin, këtë të mërkurë, pasi akuzojnë rebelët e mbështetur nga Rusia për shkeljen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga europianët.

Uashingtoni ka përshkallëzuar presionin ndaj Moskës, vetëm një ditë pasi tha se Rusia kishte dërguar tanke dhe pajisje të rënda ushtarake në Ukrainë, në shkelje të plotë të marrëveshjes së Minskut, të arritur më 12 shkurt.

Banka e sanksionuar me seli në Moskë, “Banka Kombëtare Tregtare Ruse” (RNCB), ishte e para gjatë vitit të kaluar që hapi degët e saj në Krime, pas aneksimit të rajonit ukrainas nga Moska. Agjencia ruse e lajmeve “Interfax”, e cila e trajton Krimenë si pjesë e Rusisë, e rendit atë si të 142-tën në Rusi për nga madhësia e aseteve financiare.

Huadhënësi më i madh i Rusisë, shtetërorja “Sberbank”, i dha bankës RNCB rrjetin e vet të mëparshëm në gadishullin me dalje në Detin e Zi, pas aneksimit të tij. Banka u sanksionua edhe nga Bashkimi Europian vitin e kaluar. RNCB bëri të ditur se sanksionet “nuk përbëjnë aspak rrezikshmëri ndaj aktiviteteve aktuale të saj”, dhe se “momentalisht RNCB nuk ka asnjë aset financiar në Shtetet e Bashkuara”.

Ndihma ndaj Ukrainës përfshinte rreth 200 autoblinda të paarmatosur, si dhe 30 të armatosura, bëri të ditur një zyrtar i lartë i mbrojtjes në SHBA, duke folur në kushte anonimiteti. Gjithashtu pjesë e ndihmës ishin edhe një numër i papërcaktuar i “drone”-ve zbulues “Raven”, të cilët janë të paarmatosur. Ndihma do të nisë të shpërndahet brenda pak javësh, ndërsa Shtëpia e Bardhë njofton edhe 75 milionë dollarë të tjerë, të cilat përfshijnë radio, mjete ajrore pa pilotë, radarë antimurtaja, mjete për shikim gjatë natës (dylbi), veshje të ndihmës së shpejtë, ambulanca dhe furnizime të tjera mjekësore.

Mes separatistëve më të spikatur të përfshirë në listën e zezë të Uashingtonit, këtë të mërkurë, ishte edhe Roman Lyagin, i cili kryeson komisionin zgjedhor në territoret rebele. Thesari amerikan e akuzon atë për ndalimin e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të Ukrainës, në maj, në rajonet në fjalë. Lyagin tha se nuk ishte luftëtar, por se po luante një rol paqësor në aktivitetet e separatistëve.

Top Channel