Tabaku: Protestë paqësore. Krimi nuk është pjesë e jona

11/03/2015 00:00

Për të folur më gjerësisht për protestën e ditës së enjte, në studiot e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel ishte deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Tabaku siguroi qytetarët se protesta do të jetë paqësore.

Ilir Paço: Si do të organizohet protesta? Cili do të jetë itinerari dhe çfarë do të ndodhë?

Deputetja Jorida Tabaku: Në fakt doja t’u thoja shqiptarëve që kanë qenë të shqetësuar nga lajmet e qeverisë, nga deklaratat e policisë se, protesta do të jetë paqësore dhe në të do të jenë përfaqësues të PD-së dhe qytetarë shqiptarë, sepse protesta është më e gjerë se sa vetë opozita. Detajet organizative janë duke u diskutuar. E rëndësishme është që kjo protestë mbledh zërin opozitar për një çështje shumë të drejtë, për kriminalizimin, por kjo e shoqëruar me një sërë shqetësimesh të tjera ekonomike; taksat, energjia elektrike dhe skema e pensioneve që ndëshkon shtresat rurale.

Ilir Paço: Ka patur një deklaratë pak ditë më parë nga nënkryetari i Partisë Demokratike që PD nuk mban përgjegjësi për zemërimin popullor, ndërkohë që shërbimet inteligjente dhe policia flasin për informacione për elementë të dhunshëm. Pra, këto justifikojnë frikën se ndoshta mund të degjenerojë në dhunë kjo protestë…

Deputetja Tabaku: E keqcitoni deklaratën e Palokës. Paloka ka qenë duke iu referuar deklaratës së mëparshme të Ramës. Paloka ka thënë, duke iu referuar Ramës për një deklaratë të tij të mëparshme. Sa u përket elementëve të dhunshëm dhe atyre kriminalë, ata nuk gjenden në Partinë Demokratike. Për këtë po protestojmë ne. Sot u kuptua që krimi dhe kriminelët janë në Parlament. Historitë që ne po dëgjojmë sot, me ministrin e Brendshëm që takon kriminelë dhe negocion me ta, historitë ku kryetari i Parlamentit takohet në tavolinë me persona me të shkuar kriminale janë tronditëse.

Ilir Paço: Ju thoni që PD do të zhvillojë një protestë qytetare dhe paqësore. Sot zoti Berisha ka shkruar në Facebook se protesta e 12 marsit është 20 shkurti i ri, ndërsa zoti Basha ka thënë se protesta do të jetë paqësore, por shprehja e ‘zemërimi masiv i qytetarëve do të rrëzojë qeverinë’. Këto deklarata paksa dykuptimëshe mos po krijojnë premisa apo keqkuptime për akte të dhunshme?

Deputetja Tabaku: Berisha ka thënë se protesta do të jetë masive si më 20 shkurt. Basha iu referua rrëzimit të qeverisë me forcën e fjalës. E kemi treguar këtë me 3 protesta, do e tregojmë edhe nesër. Ka shumë që kanë menduar që opozita duhet të protestonte më përpara. Situata ku ndodhet shteti shqiptar sot kanë imponuar protestën, protesta ka ardhur si kërkesë e njerëzve, jo e drejtuesve të PD-së.

Top Channel