PE miraton rezolutat për Ballkanin. Kosova të njihet sa më shpejt, Maqedonia me situatë të përkeqësuar

11/03/2015 00:00

Parlamenti Europian miratoi rezolutën për Kosovën, bazuar në raportin e zëvendëspresidentes Ulrike Lunaçek. Dokumenti përsërit thirrjen ndaj 5 vendeve anëtare të Unionit, që të njohin pavarësinë dhe thekson nevojën urgjente për kryerjen e reformave integruese pas ngërçit politik.

“Njohja e Kosovës nga BE është tejet e vonuar. Ne i bëjmë thirrje BE-së për të përmbyllur njohjen zyrtare dhe u kërkojmë 5 shteteve anëtare, që refuzojnë të pranojnë Kosovën, të tërheqin bllokadën e tyre. Ndikimi pozitiv i BE-së në Kosovë është dobësuar në mënyrë të konsiderueshme nga përçarja”, tha Ulrike Lunaçek, zv.presidente e PE, raportuese për Kosovën.

Sundimi i ligjit, media, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe largimet masive nga vendi janë shqetësimet kryesore, por rezoluta e Parlamentit mbështet liberalizimin e shpejtë të vizave për kosovarët, si dhe nxit hetime të thella e transparente ndaj dyshimeve për korrupsion nga punonjësit e EULEX, për të kthyer besimin në Kosovë.

“Unë do të kem kënaqësinë të jem vetë atje pas dy javësh, kur të marrim pjesë në Konferencën e 6 të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që organizohet në Kosovë, mbi ndërlidhjet, transportin e me radhë. Çfarë mendoj se shkon drejt pajtimit, pasi Kosova është pjesëmarrëse e plotë në të gjitha aktivitetet e rajonit, që synojnë lidhjen më të mirë mes vendeve për të arritur paqen, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, punësimin e prosperitetin”, tha Johannes Hahn, Komisioner për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit.

Normalizimi i marrëdhënieve Prishtinë-Beograd qëndron lart në agjendën për Kosovën, ndërsa kushtëzon negociatat e anëtarësimit për Serbinë, siç është shprehur dhe Këshilli i BE-së.

“Progresi në sundimin e ligjit dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën kanë rëndësi të veçantë në këtë fazë për negociatat”, tha Zanda Kalnina-Lukasevica, përfaqësuese e Presidencës letoneze të BE-së.

Por, një tjetër detyrim iu shtua rezolutës për Serbinë nga eurodeputetët kroatë, gjatë seancës plenare të Strasburgut. Kryeqendra e ish-Jugosllavisë duhet të ndryshojë ligjin për krime lufte, i cili i mundëson Beogradit të hetojë dhe dënojë qytetarë të shteteve të tjera të rajonit, duke cënuar integritetin e tyre.

Me gjithë kundërshtimin e socialdemokrates sllovene, Tanja Fajon, kërkesa e kroatëve kaloi me 28 vota më shumë, falë përkrahjes së PPE-së dhe liberalëve. Serbisë i kërkohet të përshtasë politikën e jashtme me atë të BE-së dhe të respektojë sanksionet ndaj Rusisë. Sipas raportuesit gjerman, David McAllister, vendi duhet të shtojë përpjekjet mbi gjyqësorin, median, minoritetet dhe reformat ekonomiko-sociale.

Replikat më të shumta mes eurodeputetëve u regjistruan gjatë debatit mbi Maqedoninë, siç u përmend shpesh nga kroatët, të cilët e njohin zyrtarisht atë me emrin kushtetues, çfarë rriti pakënaqësinë e grekëve dhe qipriotëve ndaj këtyre kolegëve, që nuk e njihnin historinë e Ballkanit dhe ekzistencën helene.

Ndërsa grupet kryesore politike i bënë thirrje Greqisë, që të zhbllokojë pas 10 vjetësh Shkupin për nisjen e negociatave të anëtarësimit, rezoluta njeh krizën politike dhe përkeqësimin e situatës në vend, veçanërisht pas skandalit të regjistrimeve.

“Skandali i regjistrimeve të fshehta po dëmton themelin e sistemit demokratik të shoqërisë dhe po nënvlerëson besimin e qytetarëve tek institucionet e tyre dhe politika”, tha Eduard Kukan, eurodeputet i PPE.

Mali i Zi qëndron në krye të rajonit, si i vetmi vend që vijon pa pengesa negociatat, me hapjen e 16 kapitujve dhe mbylljen paraprake të dy prej tyre. Rezoluta e PE-së përmend shqetësimet për sundimin e ligjit, gjyqësorin, pavarësinë e medias dhe luftën ndaj korrupsionit. Raportet për Shqipërinë dhe Bosnjen priten të miratohen gjatë muajit të ardhshëm nga Parlamenti Europian.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel