OKB, plan për refugjatët nga Siria. Nga 4 vitet e konfliktit, shumica ikën drejt Italisë

11/03/2015 00:00

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka hartuar një plan të ri për zhvendosjen radikale të mijëra refugjatëve sirianë nga Evropa Jugore drejt vendeve më të pasura në veri të kontinentit.

Në prag të përvjetorit të katërt të fillimit të konfliktit sirian, si edhe në kohën kur shifrat e emigrantëve të paligjshëm kanë shënuar rekord, OKB ka gjetur mbështetjen edhe nga Bashkimi Europian për këtë politikë të re.

Më shumë se 2/3-tat e refugjatëve zbarkuan në Itali, 1,5 milionë e tyre i janë drejtuar Turqisë, ndërsa pjesa tjetër vendeve të Mesdheut. Pas mbërritjes së tyre në kontinentin e vjetër, ata kanë nisur procedurat për kërkimin e azilit.

Por propozimi i Kombeve të Bashkuara është gjithashtu edhe një largim nga politika aktuale e unionit, e cila i detyron azilkërkuesit që të aplikojnë për azil vetëm në vendin e parë të hyrjes, e gjithë kjo bazuar në procedurën e njohur si “ligji i Dublinit”.

Ndërkohë, një tjetër nismë e OKB-së është edhe hapja e një ekspozite në Nju Jork me pamje tronditëse që shfaqin një pjesë të torturave siriane. Fotografitë që tregojnë viktimat e mizorive kanë për qëllim të tregojnë se, kriza humanitare në Siri nuk është edhe aq larg sa një pjesë e madhe e njerëzve mendon.

Katër vjet pas fillimit të luftës civile të Sirisë, më shumë se 3,5 milionë njerëz kanë ikur nga vendi i tyre dhe janë regjistruar në kampet e refugjatëve, ndërkohë 220 mijë kanë aplikuar për azil politik në Europë, duke bërë që ndikimi i krizës së Sirisë të kalojë kufijtë e Lindjes së Mesme.

Shumë vende të tjera të Perëndimit janë gjendur papritur përballë situatës, kur i është dashur të kthehen në strehën e mijëra refugjatëve.

Top Channel