Arrestohen 4 administratorë shoqërish dhe një ish-inspektor i Tatimeve

11/03/2015 00:00

Katër administratorë shoqërish dhe një ish-inspektor tatimor janë vënë në pranga nga policia, gjatë mbrëmjes së të mërkurës.

Policia ka bërë të ditur se të arrestuarit akuzohen për fshehje të ardhurash dhe pastrim produktesh të veprave penale.

Arrestimet janë kryer nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Lezhës.

Personat e ndaluar janë: Dalip Kadriu, vjeç 57, Mark Dedaj 60 vjeç, Ramazan Balliu, 41 vjeç dhe Xhelil Toshi, të cilët akuzohen për veprat penale “fshehja e të ardhurave”, “mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “falsifikimi i vulave, stampave ose i formulareve” “mashtrimit” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale”.

Ndërkohë, është arrestuar edhe ish-inspektori tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Lezhës, Agron Gjokaj, 42 vjeç, për “shpërdorim detyre. Ndërsa shtetasi N.D, vjeç 47, banues në Lezhë, është shpallur në kërkim për “shpërdorim të detyrës”.

Policia ka bërë të ditur se, pas një hetimi të gjerë kanë rezultuar të dhëna e fakte të mjaftueshme e të bazuara në prova se shtetasit Mark Dedaj, në cilësinë e administratorit të subjektit “Kurbini” shp.k, Dalip Kadriu, në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Kavaja CO” sh.p.k, Ramazan Balliu në cilësinë e administratorit të shoqërisë“R & B 2011” sh.p.k dhe Xhelil Toshi në cilësinë e administratorit të shoqërisë“Erad&Xht” sh.p.k, në bashkëpunim, dyshohet se kanë kryer veprat penale të “mospagimit të taksave dhe tatimeve”, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “mashtrimit” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në cilësinë si administratorë të shoqërive, si subjekt tatimpagues, dyshohet se ata kanë kryer veprimtari fiktive të shitjes së mallit skrap, në sasi dhe vlera monetare shumë të larta, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik të konsiderueshëm.

Gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Dalip Kadriu duke përdorur persona të panjohur në shoqëri, persona me gjendje të rëndë ekonomike apo që nuk kanë dijeni për legjislacionin tatimor dhe pasojat që vijnë prej tij, ka krijuar shoqëri tregtare fiktive, me qëllim vjedhjen e TVSH-së, në shuma të konsiderueshme.
 

Top Channel