Doshi reagon pas deklaratës së Vasilit: Çinari nuk ka pasur asnjë lloj nxitje prej meje

12/03/2015 00:00

Pas deklaratës së kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka reaguar në rrjetin social “Facebook” deputeti Tom Doshi, i cili shkruan se Petrit Çinari veproi me vullnetin e tij dhe se nuk ka pasur asnjë lloj nxitje nga ana e deputetit.

“Unë po u them se ky person nuk ka pasur asnjë lloj nxitjeje dhe inkurajimi prej meje. Ai ka vepruar me vullnetin e tij të lirë dhe unë jam informuar pasi ai e kishte bërë kallëzimin në Prokurori”, shkruan Doshi.

Deputeti ka bërë të ditur se i ka dërguar Prokurorit të Përgjithshëm shkresën për t’i kërkuar atij pjesëmarrës ndërkombëtarë për hetimet.

“Pyeteni dhe Ilir Metën, nëse është dakord të ketë hetues ndërkombëtarë në këtë çështje. Nëqoftëse edhe ai është i interesuar të dalë e vërteta, atëherë rezultatet e hetimeve do të jenë të pakontestueshme dhe duhet të pranohen publikisht nga të dy ne, sido që të jetë ky rezultat që del nga hetuesit ndërkombëtarë. Toni sot ka pranuar njohjen me Durimin, sepse nuk mund ta mohonte dot. Le të zbardhen tabulatet e aktivitetit ndërkombëtar të drogës nga Toni dhe a ka patur ai komunikim me Monika Kryemadhin”, shprehet më tej deputeti Doshi.

Top Channel