Ambasada e SHBA, thirrje qytetarëve të saj të bëjnë kujdes gjatë protestës: Mund të kthehet në konfrontuese

12/03/2015 00:00

Ambasada amerikane në Tiranë ka lëshuar një deklaratë gjatë orëve të vona të ditës së mërkurë, ku paralajmëron qytetarët e saj të bëjnë kujdes ditën e sotme gjatë protestës së opozitës, e cila do të nisë në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej”.

“Protesta ka për qëllim të jetë paqësore, por shpesh të tilla kthehen edhe në të dhunshme”, thuhet në deklaratë.

Ambasada amerikane këshillon qytetarët amerikanë “të shmangin zonat e demonstrimeve, të rrisin sigurinë personale dhe të ushtrojnë kujdes nëse gjenden përballë ndonjë tubimi, proteste, apo demonstrate”.

“Tubimet e mëdha publike mund të përhapen në të gjitha arteriet kryesore hyrëse të qytetit ku ato ndodhin, por edhe më gjerë. Rishikoni planet tuaja personale të sigurisë dhe monitoroni stacionet e lajmeve për t’u informuar mbi situatën”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e lëshuar nga Ambasada amerikane.

Top Channel