SHBA, qëllohen dy oficerë policie në Ferguson

12/03/2015 00:00

Dy oficerë policie janë qëlluar në Ferguson të Misurit, në Shtetet e Bashkuara, lokaliteti i prekur vitin e kaluar nga protesta të shumta për shkak të vrasjes së adoleshentëve me ngjyrë nga policia.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, një oficer është qëlluar në fytyrë dhe një tjetër në shpatull. Shefi i policisë lokale, Jon Belmar deklaroi se plagët ishin serioze, por shtoi se agjentët ishin ende të vetëdijshëm.

Protestuesit ishin mbledhur jashtë drejtorisë së policisë së Fergusonit në orët e vona të së mërkurës, në kuadër të një demonstrate që ishte planifikuar të ishte paqësore.

Por fare pak pas mesnate, të paktën tre të shtëna u qëlluan teksa protestuesit kishin filluar të shpërndaheshin. Oficeri Belmar deklaroi se të shtënat ishin drejtuar qëllimisht ndaj agjentëve të tij dhe theksoi se ata nuk ishin plumba qorrë.

Më herët gjatë së mërkurës, shefi i policisë së Fergusonit dha dorëheqjen pas publikimit të raportit të Departamentit të Drejtësisë, që konstatonte abuzime të shumta racore në Departamentin e Policisë së qytetit dhe të gjykatës.

Menjëherë pas publikimit të raportit, javën e kaluar dhanë dorëheqjen edhe 3 zyrtarë të tjerë të policisë së këtij lokaliteti. Raporti u publikua pas hetimeve disa mujore mbi vrasjet që nxitën protesta të dhunshme dhe një dialog kombëtar për çështjet racore dhe sundimin e ligjit në SHBA.

Raportet janë publikuar edhe në një kohë kur po afrohet fundi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-ve, Eric Holder, i pari person me ngjyrë që e mban këtë detyrë.

Top Channel