90-vjetori i Medresesë, i fillimit të mësimit në shkollën e Tiranës

12/03/2015 00:00

90-vjetori i themelimit të Medresesë së Tiranës është përkujtuar në një aktivitet të organizuar nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë, në të cilën ishin të ftuar përfaqësues të të gjithë spektrit politik, anëtarë të trupit diplomatik dhe figura të rëndësishme të jetës fetare, akademike dhe kulturore në vend.

“Ne besojmë se shkolla është një laborator jete, është vendi i mësimit, edukimit, skalitjes dhe i virtyteve dhe cilësive më të mira të nevojshme për jetën. Shtatë medresetë në qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë dhe universiteti Bedër janë shembulli më i mirë që tregojnë rëndësinë që komuniteti musliman i Shqipërisë i kushton edukimit të brezave të rinj”, tha Skënder Bruçaj, kreu i KMSH.

Për shefin e Qeverisë shqiptare, që shpesh herë ka folur për kërcënimin me të cilin përballet sot qytetërimi perëndimor, emergjenca e reagimit të përbashkët është pikërisht mbrojtja e civilizimit.

“Feja është një tharm i pazëvendësueshëm. E madhe është sprova me të cilën institucioni juaj civilizues duhet të përballet me epokën tonë. Një besimtar i mirë nuk mjafton, një nxënës i mirë është përsëri një arritje gjysmake. Çka duhet arritur është një qytetar i lirë, i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm. Domosdoshmërisht një qytetar i lirë me pasion i orientuar drejt dijes, urtësisë dhe përgjegjshmërisë, ashik i krijuesit pse jo, por edhe më fort i kulturës dhe i respektit për civilizimet”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Gjatë aktivitetit u shfaq një dokumentar mbi historikun e Medresesë së Tiranës, si dhe u shpërnda një album me foto historike të këtij institucioni, që nga themelimi e deri në ditët tona.

Top Channel