Paloka: Meta e Rama të lënë të lirë qytetarët protestues, përndryshe të mbajnë përgjegjësi

12/03/2015 00:00

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një deklaratë të dhënë nga jashtë selisë së Kuvendit u ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dhe kryeministrit të vendit, Edi Rama, që të heqin të gjitha pengesat e vëna ndaj qytetarëve, të cilët janë përgatitur për të ardhur në kryeqytet për të protestuar paqësisht.

Protesta ishte njoftuar më herët nga Partia Demokratike, e pavarësisht kësaj u deklarua se ajo ishte thirrur nga qytetarët me kërkesën e tyre për të protestuar ndaj padrejtësive dhe drejtuesve aktualë të Qeverisë dhe Kuvendit.

“U bëj thirrje Metës dhe Ramës që të lirojnë pritat ndaj qytetarëve që duan të protestojnë qetësisht. Nuk duhet të provokojnë, as me vullnetarët e Enverit që kanë nxjerrë qëllimisht në rrugë, përndryshe duhet të mbajnë përgjegjësi për çka mund të ndodhë”, paralajmëroi Edi Paloka.

“Qytetarët duan të protestojnë qetësisht kundër kësaj Qeverie që duhet të ikë një orë e më parë. Protesta jonë nuk do të jetë si ajo e 21 janarit, por një protestë paqësorë. E që kjo të ndodhë, qytetarët duhen lënë të lirë të shfrytëzojnë të drejtën për të protestuar”, tha më tej Paloka.

E ndërkohë që shumica e simpatizantëve të Partisë Demokratike janë mbledhur nga të gjitha rrethet për të ardhur në kryeqytet, në protestën e organizuar nga forca kryesore e opozitës së vendit, të tjerë simpatizantë të LSI-së janë mbledhur pranë selisë së kësaj force politike, në mbështetje të kreut të saj, Ilir Meta, dorëheqja e të cilit është në qendër të kërkesave të protestuesve të sotëm.

Top Channel