Doshi: Faktet e LSI-së? Ngjarja nuk është sajesë, do ta zbardh bashkë me ju!

12/03/2015 00:00

Në një reagim të fundit në rrjetin social Facebook, Tom Doshi ka vijuar të mbajë të njëjtin qëndrim si përgjatë ditëve të fundit, duke garantuar siç thotë ai që ngjarja e denoncuar nuk është aspak sajesë dhe se porositësi i saj është Ilir Meta.

Duke hedhur poshtë faktet e publikuara së fundi nga drejtues të lartë të LSI-së, përfshi edhe kreun e Komisionit për Sigurinë Spartak Brahon, apo edhe ato që priten të nxirren në vijim, siç ka premtuar kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili, Doshi shprehet se “zbardhjen e kësaj çështjeje do ta bëj unë, së bashku me ndihmën tuaj”. Ai thekson se “do t’i shkojë deri në fund kësaj historie”.

Vetëm një ditë më parë, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili doli përpara gazetarëve për të publikuar disa dokumente, që sipas tij vërtetojnë se Tom Doshi gënjen, kur thotë se nuk e njeh Petrit Çinarin.

Vasili tha se deputeti i Qarkut të Shkodrës i ka dhuruar një apartament bashkëshortes së Çinarit në muajin gusht, pikërisht 3 javë para se të ngrinte akuzat për tentativë vrasjeje kundër kreut të Kuvendit, Ilir Meta.

Top Channel