Protesta pa kauzë dhe donkishoteske e Sali Berishës!

12/03/2015 00:00

Andrea Stefani – T’i hedhim, t’i hedhim, t’i hedhim qelbësirat!- u bënte dje thirrje fanatikëve të tij Sali Berisha nga faqet e gazetë “RD” dhe nga Facebook-u.

Thirrje të tilla histerike kish lëshuar ai edhe në shtator 1998 për përmbysjen me dhunë të qeverisë së Fatos Nanos. Dhe e vërteta e hidhur është se gjithë ajo gërmushje dhe nxitje e urrejtjes përfundoi me një sulm të armatosur mbi godinën e Kryeministrisë, pra me një puç, dhe me pushtimin e televizionit publik (TVSH). A mos po përsëritet sot historia në formën e një “14 shtatori” të dytë? Ka shumë të ngjarë. Por ka edhe më shumë të ngjarë, sikundër ndodh rëndom në histori, që tragjedia e 14 shtatorit 1998 të përsëritet sot, më 12 mars 2015, si një komedi.

***

Në njëfarë mënyre, edhe vetë Sali Berisha po gjakon të përsërisë historinë. Por në mënyrën më donkishoteske të mundshme. Një donkishotizëm që shpërthen nga natyra e tij prej autokrati me bark të panginjshëm. Ka humbur pushtetin dhe meqenëse nuk bën dot pa të, i lind dëshira e papërballueshme të kthehen ato rrethana që e sollën në pushtet në vitin e largët 1992. Ndaj, tamam si i marri Don Kishot kërkonte të kthente prapa botën në mesjetën kalorësiake, edhe Saliu kërkon të kthejë Shqipërinë në fillim të viteve ’90. Nis e bërtet me të madhe se qenka vendosur “diktatura komuniste” e bijve që duhet përmbysur, gjë që e bën shumicën e shqiptarëve (përjashtuar fanatikët e tij trumbyllur) të qeshin me marrokun plak më shumë se me Don Kishotin që i pandehte mullinjtë e erës për kulçedra dhe verën e damixhanave që thyente me shpatë, për gjak kundërshtarësh të mposhtur.

***

Gjithsesi, duhet pranuar se, për turp të shqiptarëve, Sali Berisha, me një jetëgjatësi politike antidemokratike që konkurron me atë të Musolinit, Hitlerit, Fidel Kastros apo Enver Hoxhës, ia ka arritur ta kurthosë Shqipërinë në skenarët e tij tragjikomikë duke e detyruar, kohë pas kohe, të ecë vendnumëro. Sot jemi në një nga këto momente turpi, kur kulti i pështirë i këtij politikani mobilizon një protestë fanatikësh duke pasur si argument… asgjënë! Është thuajse evidente, edhe pse Berisha vazhdon të këmbëngulë se Ilir Meta ka dashur të vrasë Tom Doshin, se nuk ka as edhe një fakt të vetëm që ta provojë këtë akuzë. Ka vetëm fjalë të thëna nga vetë Doshi dhe nga vetë Berisha që është bërë jehonë e fjalëve të Doshit. Vetë i porosituri për të vrarë (që Berisha e quan me gjuhën e Kanunit “dorasi”) por edhe i pretenduari si porositës, kanë dëshmuar në prokurori krejt të kundërtën e asaj që ka thënë Tom Doshi dhe që vazhdon ta pretendojë Berisha. Atëherë përse bëhet sot kjo protestë? Për varfërinë? Po a mund të protestojë kundër varfërisë një politikan vetëm një vit e gjysmë pasi ka lënë një pushtet 8-vjeçar?! Varfëria nuk mund të krijohet për një vit e gjysmë ndërkohë që është e sigurt se ajo trashëgohet nga një qeverisje 8-vjeçare. A është e ndershme të kërkosh të përmbysësh një qeveri duke e fajësuar se nuk ka zhdukur një varfëri që ti jo vetëm nuk e zhduke, por e mbolle për 8 vjet rresht? E njëjta gjë mund të thuhet edhe për krimin dhe korrupsionin. E pra përse protestojnë Berisha dhe fanatikët e tij sot? Thjesht për të përmbushur Berisha epshin e tij të sëmurë për pushtet pa fund.

***

Po përse Berisha nuk pret dot, përse nxiton, përse kërkon të ngrejë atë që propaganda e tij e quan “uragan” kundër një diktature që ekziston vetën në trurin e tij të nxehur por që në fakt, po shpaloset si përgatitje sulmi të dhunshëm kundër institucioneve? Sepse Berisha është në garë me të vërtetën dhe me kohën. Në radhë të parë, Berisha nuk mund të presë rezultatet e hetimit të prokurorisë ngaqë duket është i ndërgjegjshëm se ç’mund të dalë nga këto hetime. Ai është i vetëdijshëm se e vërteta është kundër tij. Çdo politikan që ka të vërtetën me vete do priste daljen e saj në dritë me anë të institucionit të prokurorisë. Por Berisha, është në anën e gënjeshtrës. Prandaj, nxiton të arrijë diçka sa pa dalë e vërteta. Dhe e justifikon padurimin e tij me një tjetër gënjeshtër: Prokuroria nuk heton dot skandalin “Doshi” sa kohë që Meta është në postin e kryetarit të Kuvendit. Gjë që jo vetëm nuk është e vërtetë, por njëherazi përbën edhe një akuzë që Berisha ngre kundër vetes. Sepse gjithkush mund të pyesë: Përse pas 8 vjet qeverisjeje nga Berisha kemi një kryeprokuror të caktuar po nga Berisha, dhe që nuk paska kurajë të hetojë një zyrtar të lartë si Ilir Meta? Ndërkaq Berisha, që nuk ka dhënë vetë dorëheqjen as për krimin e vrasjes së dhjetëra qytetarëve në Gërdec e më 21 janar, është politikani që nuk ka asnjë kredi morale për të kërkuar që dikush tjetër të japë dorëheqjen, për një krim të paprovuar dhe pafaktuar, në emër të “moralit”. Të kërkoje dje dorëheqjen e Ilir Metës për shkak të videoskandalit me Priftin ishte plotësisht e përligjur, sepse në video ishte vetëm Meta, me zë dhe me figurë. Të plotësosh sot kërkesën e Berishës për dorëheqjen e Metës bazuar vetëm në llafet e Doshit, do të thotë të krijosh një precedent antishtet të rrëzimit të qeverive me “fjalë kazani”.

***

Përveç frikës nga e vërteta, Berishën e nxit drejt aventurës së një 14 shtatori të dytë edhe koha ose më saktë mosha e tij. Çdo vit që kalon e bën edhe më të hatashme, më të ububushëm, në raport me rotacionin e lidershipit në demokraci, rikthimin e tij në pushtet qoftë edhe në formë të maskuar duke përdorur si gjethe fiku ndonjë “lule”. Prandaj Berisha nxiton, nxiton të kapë kohën e humbur në intrigat e përgjakshme të këtyre 25 vjetëve. Por as rekordet e notit, as lyerja e flokëve, as mburrjet me shëndetin e pashkatërrueshëm nga koha dhe pleqëria, nuk pinë ujë. Askush në këtë botë nuk është akronil. Prandaj dhe Berisha nuk mund të presë. Shanset e rikthimit në pushtet i pakësohen në progresion gjeometrik jo me vitet, por edhe me muajt. Prandaj kapet pas skandalit “Doshi” si i mbyturi pas fijes së barit. Prandaj rreket që 12 marsin ta lexojë si 20 shkurtin e përmbysjes së diktaturës. Ethet e sëmundjes për pushtet e nuk e lënë të kuptojë se për shkak se jetojmë në një shekull tjetër, çdo përpjekje për të përsëritur 20 shkurtin do të përfundonte fatalisht në përsëritje të 14 shtatorit. Por këtë herë, jo vetëm të dështuar por edhe të ndëshkuar.

Top Channel