Berisha: Frika mbylli Parlamentin. Rama: Lëreni hetimin të flasë

12/03/2015 00:00

Pak minuta pas përfundimit të seancës së shkurtër parlamentare, jashtë sallës ish-kryeministri Berisha, kryeministri Rama dhe deputetë të tjerë komentuan punën e Kuvendit në lidhje me protestën që sapo kishte nisur.

Berisha e cilësoi këtë zhvillim kaq të shkurtër si të pashembullt e që shënoi sipas tij kapitullimin e mazhorancës.

“Mbyllja e Parlamentit shënon kapitullimin e mazhorancës. Ky është një akt i pashembullt. Këta kanë frikë nga protesta qytetare kundër krimit. Kjo mazhorancë e gllabëruar nga krimi ka vetëm një zgjedhje: t’u hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme”, deklaroi Berisha.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike shtoi se, protesta e sotme nuk kishte ngjyrime politike dhe se në të do të merrnin pjesë edhe shumë socialistë.

Ndërsa ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u shpreh: “Nuk e imagjinoja që të ishte kaq i tmerruar në palcë sa të kthehej gati në një klloun. Është e paimagjinueshme që parlamenti të mbyllet dhe që kryetari i tij të dridhet dhe të mos durojë dot më shumë se 12 minuta”.
Ndërsa kryeministri Edi Rama e vuri theksin tek nevoja për të pritur përfundimin e hetimeve mbi “trazirën psikologjike për shoqërinë”, siç e cilësoi ai ngjarjen e lidhur me akuzat e deputetit Tom Doshi.

“Jam i bindur që gjithçka ndodhi ditët e fundit dhe që shkaktoi këtë trazirë psikologjike për shoqërinë shqiptare, do të kthehet në një mirësi për politikën dhe ndërveprimin shoqëror e politik të vendit. Megjithatë, që kjo të ndodhë, duhet të presim me durim përfundimet e hetimit, sepse vetëm hetimi i plotë, i paanshëm i kësaj çështjeje do të japë edhe përgjigjen që kërkon publiku. Gjithashtu do të tregojë edhe të vërtetën e kësaj telenovele të shëmtuar”, u shpreh Rama për gazetarët e pranishëm.

Ai shtoi se rezultatet e hetimit do të japin shpresë gjithashtu që edhe jeta parlamentare e vendit të kthehet në normalitet, pasi siç tha ai, opozita kërkon ta përdorë Parlamentin vetëm për mitingje dhe për bllokada.

“Besoj se uroj që gjithçka po ndodh të sjellë edhe Parlamentin shqiptar në binarët e rregullores dhe të bëjë të mundur që ky institucion të prodhojë atë për të cilën është zgjedhur. Opozita kërkon ta përdorë Parlamentin për mitingje. Toleranca e tepruar nuk sjell gjë tjetër, veçse degjenerimin e Parlamentit”, tha Rama.

Top Channel