Policia e Shtetit: Organizatorët e protestës të bëjnë kujdes. Persona me armë dhe eksploziv

12/03/2015 00:00

Policia e Shtetit, me anë të një deklarate, u kërkoi kujdes organizatorëve të protestës të bëjnë kujdes, sepse ka pasur informacione se persona me armë dhe eksploziv mund të infiltrohen në turmë.

Në deklaratën e dalë sapo nisi protesta, thuhet se Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e mbarëvajtjes së tubimit të sotëm, si dhe për garantimin e Rendit e Sigurisë Publike në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë vendin. Përmes këtyre masave, siç thekson Policia e Shtetit, synohet parandalimi i çdo paligjshmërie dhe garantimi i plotë i së drejtës për të protestuar paqësisht.

“Në kuadër të këtyre masave dhe në vlerësim të informacioneve të marra nga Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, sikurse është bërë me dije, strukturat policore po ushtrojnë kontrolle në akset rrugore, me qëllim identifikimin e kapjen e personave që mund të lëvizin me armë apo sende të tjera të kundërligjshme, apo që në bazë të të dhënave mund të synojnë akte të paligjshme gjatë protestës”, njoftoi Policia e Shtetit.

Në Tiranë, që prej orës 09:30 u bllokua qarkullimi i automjeteve në akset e bëra publike gjatë mbrëmjes së ditës së mërkurë. Policia e Shtetit kërkoi të sqaronte sërish opinionin publik, se nga strukturat e këtij institucioni nuk ka asnjë pengim apo bllokim të automjeteve, që transportonin qytetarë drejt Tiranës.

Policia e Shtetit ka porositur gjithashtu pjesëmarrësit në tubimin e Partisë Demokratike, por dhe organizatorët, që të tregojnë kujdes për shkak të informacioneve, që disponon policia për mundësinë e personave me armë zjarri apo me lëndë eksplozive, që mund të infiltrohen brenda turmës.

Në fund të deklaratës, Policia e Shtetit ka theksuar se është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit e të sigurisë publike dhe të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, në respekt të plotë të ligjit, duke ofruar rend e siguri për të gjithë qytetarët e këtij vendi.

Top Channel