Vajza e Nemtsov: Putin, përgjegjësi politik i vrasjes

12/03/2015 00:00

Që Boris Nemtsovin nuk e vranë çeçenët e që fajësia për ekzekutimin e liderit opozitar në zemër të Moskës duhet kërkuar tjetërkund, këtë e thonë shumë në Rusi. Por akuza është edhe më e fuqishme, kur drejtohet nga vetë vajza e të ndjerit. Zhanna Nemtsova i tha BBC-së se beson, që politikisht faji i takon presidentit rus.

“Ai ishte kritiku më i ashpër i Putinit. Ishte lideri më i fuqishëm i opozitës në Rusi. Pas vdekjes së tij, opozita ka mbetur pa kokë dhe të gjithë janë të tmerruar. Nuk ka një figurë tjetër po aq të fortë sa ai, me aq informacion dhe përvojë për t’u bërë ballë pushtetarëve”, tha Zhanna Nemtsova, e bija e Boris Nemtsov.

Analistja 30-vjeçare e tregut të aksioneve, e njëkohësisht prezantuese në një kanal televiziv financiar të Moskës, thotë se nuk është kontaktuar nga hetuesit rusë, pasi “atyre nuk u intereson një hetim i pavarur”.

Zyrtarët ende nuk kanë deklaruar ndonjë motiv për vrasjen e ish-kryeministrit. Politikani veteran liberal u qëllua për vdekje më 27 shkurt, teksa shëtiste me të dashurën, në një urë pranë Kremlinit.

Vladimir Putin nxitoi ta dënonte ashpër vrasjen e të zotohej se ekzekutorët do të gjenden e do të nxirren para drejtësisë. Por njëri nga 5 personat e ndaluar në lidhje me këtë ngjarje, që të gjithë me origjinë çeçene, deklaroi një ditë më parë se “rrëfimi i ishte marrë nën torturë”.

Zaur Dadayev u tha vizitorëve në burg se kishte qëndruar për dy ditë i lidhur me qese në kokë dhe e kishte pranuar vrasjen, vetëm që të lirohej shoku i arrestuar bashkë me të. Pista e ekzekutimit, për shkak të përshëndetjes së karikaturave të “Charlie Hebdo”-së, nuk i bind aspak liderët e tjerë të opozitës ruse, e as të bijën e Nemtsovit, e cila këmbëngul se eliminimi i të atit është i motivuar politikisht.

Top Channel