LSI, miting në mbështetje të Metës. Luan Rama: Ne do të ecim përpara

12/03/2015 00:00

Paralelisht me demokratët në shesh, mbështetësit e LSI përpara selisë së kësaj partie u mblodhën në mbështetje të kryetarit të tyre, i vënë përballë kërkesës së opozitës për dorëheqje.

Nuk e ka gjetur të papërgatitur LSI-në mbledhja e mbështetësve përpara selisë, çka është vënë re nga organizimi për t’iu mundësuar atyre dëgjimin e fjalimit përmes aparaturave të audios të instaluara.

Vetë Ilir Meta nuk është shfaqur përpara mbështetësve. Burime të TCH bëjnë me dije se pas mbylljes së seancës ai është drejtuar për në zyrën e tij në Kryesinë e Kuvendit, prej nga ka ndjekur edhe protestën e opozitës në shoqërine e deputetit socialist të Shkodrës, Paulin Sterkaj.

Ishin drejtuesit më të lartë të partisë së tij, ministrat dhe deputetët e kësaj force politike që dolën për të përshëndetur mbështetësit, ndërsa fjalimi u mbajt nga sekretari i përgjithshëm Luan Rama, që në fokus pati sloganin e kësaj force politike të zgjedhjeve të fundit: “Të ecim përpara”.

“LSI është e vendosur të ecë përpara pa u trembur nga askush, por duke i treguar vendin cilitdo që bën pakt me krimin apo është peng i krimit”, deklaroi Rama.

Por LSI nuk do të ecë përpara vetëm në këtë drejtim, të cilin Luan Rama e cilësoi sfidë të kësaj partie, por edhe për zgjedhjet e ardhshme. Duke mbajtur në kontekst treguesin se kjo parti ka rritur votat sa herë që ka dalë nga një situatë e ngjashme, Luan Rama tha se për këtë nuk bën dot askush LSI-në me faj.

“Përpara për fitoren e radhës, sepse nuk është faji ynë që të tjerët tremben nga rritja e LSI-së. Rroftë LSI!”, u shpreh Rama.

Top Channel