Lufta civile në Siri, raport i agjencive të ndihmës: Është lënë në harresë

12/03/2015 00:00

Trazirat në pjesë të tjera të botës e kanë zhytur në harresë konfliktin sirian. Por raporti i 21 agjencive të ndihmës i rikthen në vëmendje vuajtjet e popullit të munduar prej një lufte të brendshme 4-vjeçare. Në këndvështrimin e tyre, për civilët në Siri, viti që lamë pas ishte më i keqi që prej fillimit të konfliktit në 2011-n dhe OKB-ja nuk po i ndihmon shumë.

“Realiteti i hidhur është se Këshilli i Sigurimit ka dështuar në implementimin e rezolutave të tij. Palët e përfshira në konflikt kanë vepruar të pandëshkuara e kanë injoruar kërkesat e këshillit, ndërsa civilët janë të pambrojtur dhe qasja e tyre ndaj ndihmave nuk është përmirësuar aspak”, tha Jan Egeland, bashkëhartues i raportit “Siria e lënë në baltë”.

5,6 milionë fëmijë, sipas agjencive në fjalë, kanë sot nevojë urgjente për ndihmë, shifër kjo 31% më e lartë krahasuar me 2013-n. Përgjigja humanitare ndaj nevojave të popullsisë është anemike.

Përpara dy vjetësh, u siguruan 71% e fondeve të nevojshme për mbështetjen e civilëve në vend dhe refugjatëve sirianë në shtetet fqinje. Në 2014-n, kjo asistencë u tkurr në 57%. Sa për bilancin e vdekjeve për vitin në fjalë, ai është më i madhi i regjistruar përgjatë gjithë luftës civile: 76 mijë jetë të humbura, vdekje që ndodhin përditë, por nuk raportohen më me të njëjtin ritëm si më parë.

Nga ana tjetër, të mërkurën “ËithSyria”, koalicioni i më shumë se 100 organizatave humanitare e të të drejtave të njeriut, publikoi pamje satelitore që tregojnë se numri i dritave të para nga lart gjatë natës mbi Siri është ulur me 83% krahasuar me marsin e vitit 2001. Një sërë faktorësh kanë ndikuar në një zhvillim të tillë dramatik, ndër të cilët si më kryesori citohet dëmtimi i infrastrukturës.

Top Channel