PS-LSI reagojnë pas protestës: Basha, çështje të hapura me drejtësinë

12/03/2015 00:00

Partia Socialiste ka reaguar ndaj protestës së opozitës, përmes një deklarate për shtyp të deputetit Taulant Balla.

Në fjalën e tij, nënkryetari i grupit parlamentar të PS ka theksuar se, para se të akuzojë mazhorancën aktuale, kryetari i PD Lulzim Basha duhet të përgjigjet para drejtësisë për veprat penale që ka kryer gjatë periudhës së qeverisjes së djathtë.

“Lulzim Basha duhet të dëshmojë për vjedhjen e 230 milionë eurove me tenderin e rrugës Durrës-Kukës kur ishte ministër i Transporteve. Lulzim Basha duhet të përgjigjet për marrëveshjen detare kur ishte ministër i Jashtëm. Lulzim Basha duhet të dëshmojë për vrasjen e 4 qytetarëve në Tiranë, që kur ishte ministër i Brendshëm dha urdhër që të qëlloheshin pikërisht në bulevardin ku ai protestoi sot. Lulzim Basha duhet të dëshmojë pranë organeve të drejtësisë dhe para qytetarëve. Ata nuk e falin atë për vjedhjen dhe vrasjet”, ka deklaruar Balla.

Në fund të deklaratës, deputeti socialist ka falenderuar Policinë e Shtetit që garantoi mbarëvajtjen e protestës së PD.

Ndërkohë, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, në një prononcim për mediat e
ka cilësuar si një event tepër të vakët protestën e mbajtur nga
opozita.

Sipas tij, Partia Demokratike është braktisur nga demokratët e vërtetë
dhe këtë e dëshmoi pikërisht manifestimi i kësaj të enjteje.

“Demokratët braktisën protestën e radhës të PD. Ata e përbuzën atë”, ka
thënë Vasili, i cili përkundër kërkesave të PD për dorëheqjen e Ilir
Metës ka sqaruar se ky i fundit ka thirrur për bisedime
ish-kryeministrin Berisha.

“Ilir Meta priti Berishën në sallën e Kuvendit dhe në zyrë, por ai nuk u
paraqit. Ndërsa në protestë zotit Berisha nuk iu dha mundësia të
fliste”, ka komentuar më tej Vasili. 

Top Channel