ISIS, forcat irakiane përparojnë drejt Tikritit nga disa fronte

12/03/2015 00:00

Forcat qeveritare irakiane po avancojnë në Tikrit nga disa fronte të ndryshme, duke i detyruar militantët e Shtetit Islamik të tërhiqen. Deri tani, trupat e Bagdadit kanë marrë atë që njihet si zona industriale dhe sheshi i festimeve në qendër të qytetit, pasi siguruan më parë lagjen veriore Qadisiya.

Në duart e tyre është tashmë spitali universitar dhe rajonet Ouja e re, në jug, e al-Diyum dhe al-Hayakil, në perëndim. Në operacionin e hyrë në ditën e 11 marrin pjesë rreth 30.000 ushtarë. Kjo është ofensiva më e madhe e ndërmarë kundër ISIS-t nga qeveria e Irakut që prej muajit qershor, kur grupi xhihadist pushtoi territore të mëdha në veri të vendit.

Sipas shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjeneralit Martin Dempsey, operacioni ka shumë gjasa të përfundojë me sukses, pavarësisht faktit që në këtë mësymje nuk po përdoret fuqia ajrore e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, Dempsey nuk ka la pa e përmendur shqetësimin se çfarë mund t’i ndodhë popullatës sunite të qytetit, kur luftimet të kenë përfunduar, duke qenë se betejën e drejtojnë milicët shiitë të mbështetur nga Irani, ndërsa në koordinimin e përballjes po ndihmon ushtria e Republikës Islamike.

Ndërkohë, ka raporte se militantët e ISIS-it kanë përdorur gaz klorin në Tikrit. Sipas trupave qeveritare, sasi të vogla të këtij kimikati janë vendosur në bomba rrugore, që kishin në shënjestër ushtarët e Bagdadit.

Top Channel