Elbasan, çelet panairi i “Ditës së Verës”

12/03/2015 00:00

Në prag të festës tradicionale të Ditës së Verës është çelur në Elbasan panairi “Dita e Verës 2015”, ku si çdo vit dhjetëra biznese kanë prezantuar produktet e tyre.

Panairi “Dita e Verës” organizohet nga Bashkia e Elbasanit, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë. Në fjalën e hapjes kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini vlerësoi mjaft të rëndësishëm panairin, i cili hap siparin e Ditës së Verës, duke e cilësuar si një mundësi mjaft të mirë për të gjitha bizneset që prezantohen.

Ndërsa bizneset e pranishme për herë të parë në këtë panair e kanë vlerësuar atë si mundësi të mirë për reklamim, pasi mijëra qytetarë zgjedhin Elbasanin për të festuar Ditën e Verës.

Festimet për Ditën e Verës në qytetin e Elbasanit do të vijojnë në datën 13 mars, në natën e Verës, ku Bashkia ka bërë të mundur organizimin e një koncerti festiv titulluar “Dita e Verës – Festë”, për të vijuar më pas me një koncert të madh festiv në sheshin “Gensher”, ku do të marrin pjesë këngëtarët Valbona Halili, Valbona Mema, Irma Libohova, Xhavid Dedej, Hajredin Gjeta, Sinan Hoxha, Silva Gunbardhi, Dafi, Bes Kallaku, Erjoni, Xhensila Myrtezai, grupi i valleve, cirku, si edhe vëllezërit Zena.

Skenës nuk do t’i mungojnë edhe humoristët, vallet tradicionale të zonës, si edhe grupi i cirkut, me qëllimin e vetëm për t’i shtuar sa më shumë ngjyra koncertit.

Top Channel