Menduh Thaçi viziton Prishtinën, kokë më kokë me Haradinaj

12/03/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi ka qëndruar në Prishtinë nga ku ka kërkuar mbështetje për kërkesat politike të shqiptarëve të Maqedonisë.

Gjatë takimit me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Thaçi tha se po kërkon nga aleatët politikë në Kosovë që t’i mbështesin kërkesat e shqiptarëve, të cilat pastaj do të mbështeten edhe nga faktori ndërkombëtar.

Kreu i PDSH-së tha se është krijuar përshtypja se shqiptarët e Maqedonisë nuk dinë çfarë kërkojnë dhe nuk kanë kërkesa politike, ndërsa përmendi kërkesat me të cilat tha se u pajtua edhe Ramush Haradinaj.

“Vendimmarrja në institucionet e shtetit të jetë me konsensus të plotë, që do të thotë Parlamenti dydhomësh, dhoma e qytetarëve dhe dhoma e kombeve. Tek dhoma e kombeve vendimmarrja duhet të jetë me konsensus të plotë. Dhe çështja e dytë, ndarja e buxhetit të shtetit të bëhet në mënyrë të drejtë dhe proporcionale. Këtë çështje për shqiptarët duhet ta ketë në dorë apo në kompetencën e nënshkrimit funksionari më i lartë shqiptar që është në pushtet, qoftë zv.kryeministri qoftë zëvendëspresidenti”, deklaroi Thaçi.

Ai nuk ka komentuar zhvillimet e fundit në Maqedoni pas skandalit të përgjimeve, ndërsa i pyetur për Gjykatën Speciale të krimeve të luftës në Kosovë tha se institucionet kosovare duhet të kenë kujdes në menaxhimin e situatës, për të ruajtur imazhin dhe luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga ana tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se me Thaçin kanë biseduar për kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni dhe më gjerë.

“Në kuadër të këtij interesimi, sikurse është tradita e institucioneve të vendit, e politikës së Kosovës, ne asnjëherë nuk kemi harruar të interesohemi për temat shqiptare edhe në Preshevë, në Mal të Zi dhe tema për shqiptarët kudo që janë”, tha Haradinaj.

Dy përfaqësuesit e partive opozitare në Prishtinë e Shkup konfirmuan se së shpejti do të takohen edhe në Maqedoni.

Top Channel