Reagimi i PD-së pas protestës: Policia të merret me “personat e thirrur nën armë” nga Meta

12/03/2015 00:00

Partia Demokratike ka reaguar pas zhvillimit të protestës në Tiranë, që e konsideroi si më madhështoren e mbajtur ndonjëherë. Duke përllogaritur rreth 300 mijë protestues të pranishëm në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, PD është përpjekur të hedhë akuza ndaj atyre që i konsideroi si “persona të thirrur nën armë” nga Ilir Meta.

“E kuptojmë shqetësimin e Ramës dhe të Metës nga pjesëmarrja e 300 mijë protestuesve, por Policia e Shtetit duhet të bëjë detyrën e saj duke identifikuar personat e thirrur nën armë nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta”, të cilët sipas selisë blu, janë persona me precedentë kriminalë e të promovuar nga pushteti.

Nuk dihet se për cilët persona bëhet fjalë apo nëse ky reagim ka të bëjë me deklaratën e djeshme të Policisë së Shtetit, të përforcuar vetëm pak çaste nga fillimi i protestës, se kishte burime të besueshme edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) për mundësinë e përfshirjes së personave të armatosur mes grupit të protestuesve, të cilët mund të tentonin të kryenin veprime të jashtëligjshme për të nxitur revoltë apo tension mes të pranishmëve.

Top Channel