Guardiola dhe Boateng në “qiellin e shtatë”, presin kundërshtarin e radhës

12/03/2015 00:00

Trajneri Pep Guardiola është shprehur me superlativa pas fitores së thellë 7-0 të Bayernit ndaj Shakhtar Donetsk, duke thënë se bavarezët “e dominuan totalisht” ekipin ukrainas dhe me meritë kaluan në çerekfinalet e Championsit.

Pas barazimit pa gola në Ukrainë, ekzistonte të paktën në letër rreziku që Shakhtar të shënonte një gol në fushë kundërshtare dhe t’ia bënte edhe më të vështirë jetën gjigantit gjerman, por gjithçka u sfumua kur Oleksandr Kucher u ndëshkua me karton të kuq, duke i lejuar Thomas Muller të shënonte nga 11-metërshi që në momentet e para të ndeshjes.

Të besuarit e Guardiolës nuk lëshuan aspak nga ai moment, për të shënuar golat e radhës me anë të Jerome Boateng, Franck Ribery dhe Muller, në pjesën e parë, përpara sesa Badstuber, Lewandowski dhe Gotze të kompletonin “shpërfytyrimin” e ukrainasve.

Trajneri spanjoll i Bayernit tha për faqen zyrtare të klubit: “Jam i kënaqur me lojtarët e mi, të cilët luajtën nën presion, por siç e kanë treguar përgjatë viteve të fundit, ata dinë të shfaqin më të mirën e tyre kur duhet dhe kur ka rëndësi. Jemi të kënaqur me kualifikimin, e merituam atë. Sigurisht që fitorja ishte disi më e lehtë me 10 lojtarë kundërshtarë. E dominuam totalisht ndeshjen dhe luajtëm një futboll të bukur”.

Edhe Boateng është shprehur thuajse me të njëjta vlerësime. Mbrojtësi gjerman tha se “nuk ishte një ndeshje e lehtë. Bëmë një nisje fantastike të sfidës dhe gjithçka e kishim më të lehtë kur kundërshtari mbeti me 10 vetë. Kërkuam sa më shpejt të ishte e mundur golin e dytë dhe arritëm ta shënonim atë. Ishte një fitore e kënaqshme. Jemi të vendosur të shkojmë deri në Berlin, edhe pse ka shumë rrugë për të bërë përpara. Të presim e të shohim se ndaj kujt do të luajmë në çerekfinale”.

Top Channel