Konferenca e papritur e Realit, Perez siguron: Ancelotti nuk preket

12/03/2015 00:00

“Zërat dhe sjelljet që kanë të bëjnë me trajnerin dhe lojtarët tanë, te Real Madrid, e kanë kaluar kufirin. Jam këtu për t’iu treguar juve dhe për t’i shfaqur mbështetjen time të padiskutueshme Carlo Ancelottit, e për ta siguruar atë që të gjitha thashethemet e lidhura me të ardhmen e tij janë false”…

Këto kanë qenë fjalët e presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perez, i cili ka hedhur poshtë kështu të gjitha dyshimet mbi një largim të mundshëm të teknikut italian, të cilët në mediat spanjolle janë shtuar së tepërmi, sidomos pas dy humbjeve radhazi, me Athletic Bilbaon në La Liga dhe Schalke 04 në Champions.

“Ancelotti është trajneri i duhur për këtë skuadër dhe do të qëndrojë në krye të pankinës çfarëdo lloj gjëje që të ndodhë gjatë javëve të ardhshme”, ka thënë më tej Perez në konferencën për shtyp të mbajtur në mënyrë surprizë në Madrid, në orën 13:30.

Presidenti i “Los Blancos”-ve duket se është përpjekur të “çajë retë” e ngritura mbi ambientin përreth kampionëve në fuqi të Europës dhe të Botës, për shkak të performancave të dobëta të ndeshjeve të fundit, teksa pas humbjes me Schalken i gjithë “Bernabeu” nisi vërshëllimat ndaj lojtarëve.

“Kemi lojtarët më të mirë dhe trajnerin më të mirë, tifozët duhet të jenë krenarë për sa është bërë në të kaluarën dhe për atë që do të bëhet prej tyre në të ardhmen”. Ndërkohë, edhe mbrojtësi portugez, Pepe, ka dalë në krah të Carlo Ancelottit, duke mbrojtur punën e tij me skuadrën, etikën dhe unitetin që ofron për të gjithë.

“Nuk kam aspak dyshim që Ancelotti duhet të vazhdojë”, tha Pepe për radion spanjolle “Cadena Cope”. “Ai është një trajner i shkëlqyer dhe në vetëm pak kohë arriti të na japë shumë gëzime dhe trofe gjithashtu”.

Top Channel