Policia e Shtetit, mobilizim maksimal për protestën: Nuk u raportua asnjë incident

12/03/2015 00:00

Policia e Shtetit ka angazhuar gjatë paradites së të enjtes qindra forca policore për mbarëvajtjen e protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Forca të ndërhyrjes së shpejtë, forca speciale, si dhe i gjithë efektivi i komisariateve numër 1 dhe numër 2 në Tiranë kanë qenë të pranishëm në afërsi të Kryeministrisë, jo vetëm në ruajtjen e godinës shtetërore, por edhe për sigurimin e qetësisë dhe rendit publik.

Nuk u raportua asnjë incident as nga strukturat e policisë. Por, pak para se të fillonte mitingu i PD-së, në një deklaratë të sajën, policia bëri të ditur se kishte informacione në rrugë operative, se njerëz që kishin eksploziv apo armë të tjera luftarake mund të përziheshin në turmë dhe të krijonin akte të dhunshme.

Policia u ka kërkuar qytetarëve që të bëjnë kujdes nga individë të tillë. Por, pavarësisht dy deklaratave të njëpasnjëshme të policisë për mundësinë e akteve të dhunshme, mitingu nuk regjistroi as problemin më të vogël.

Top Channel