Tom Doshi kërkon hetim nga prokurorë ndërkombëtarë

12/03/2015 00:00

Teksa në kryeqytet zhvillohej protesta e opozitës, deputeti Tom Doshi është rikthyer për herë të tretë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por kësaj radhe as për të kallëzuar e as për të rrëfyer.

Prokuroria e Krimeve të Rënda tha se deputeti Doshi ka dorëzuar kërkesën që çështja e tij të hetohet nga prokurorë ndërkombëtarë.

Kjo kërkresë e Doshit vjen 10 ditë pasi prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla urdhëroi çeljen e hetimeve kryesisht, referuar deklaratave publike të deputetit që u shpreh se ndaj tij ishte përgatitur një komplot për ta vrarë.

Megjithëse hetimet janë të regjistruara për veprën “vrasje për shkak të rrethanave cilësuese të mbetur në tentativë”, duke shënuar po ashtu një rekord zyrtarësh më të lartë të shtetit që po dalin para prokurorëve, vetë deputeti denoncues nuk ka besim tashmë tek drejtesia shqiptare.

Kjo mesa duket është edhe arsyeja kryesore e dorëzimit të kësaj kërkese, që gjithësesi ka pak shanse që të merret në konsideratë për shkak të kufizimeve që ka legjislacioni shqiptar.

Burimet shpjegojnë se ligji shqiptar nuk lejon hetimin e një çështjeje nga prokurorë të huaj, përveç rasteve kur organi i akuzës kërkon asistencë apo ndihmë për ekspertizë të huaj për çështje që janë të vështira për t’u konkluduar në vendin tonë.

Vitet e fundit, ekspertiza është kërkuar për vetëm katër çështje, që në fakt ishin edhe sensitive, si letër-porosia për ekspertizë në rastin e Gërdecit, për ekspertizën për vdekjen e Kosta Trebickës, për videon Meta-Prifti dhe për ekspertizën e armëve pas protestës së 21 janarit.

Në fakt, kërkesën për hetim ndërkombëtar, deputeti Doshi e njoftoi më herët në rrjetin social Facebook, ndërkohë që ai  këmbëngul se i gjithë ky skenar do të vihej në lojë për llogari të Ilir Metës.

Nga ana tjetër, prokurorët po vijojnë të zgjerojnë listën e personave që do të merren në pyetje. Kështu, në orën 18 janë thirrur për t’u pyetur për këtë dosjë deputetët e LSI Petrit Vasili dhe Spartak Braho, si dhe deputeti demokrat Edi Paloka.

Top Channel