Listat e veteranëve të luftës, Haradinaj kritika Thaçit dhe Çekut

12/03/2015 00:00

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka qenë komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për zonën e Dukagjinit, shpërthen në akuza pas publikimit të listave të veteranëve të luftës.

Haradinaj akuzon zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi dhe vartësit e tij, për lënien jashtë të mijëra ushtarëve të zonës së Dukagjinit. Ai ka akuzuar Hashim Thaçin dhe Agim Çekun, se i janë bashkuar shumë vonë luftës, ndaj dhe u kërkon atyre t’i përmirësojnë listat.

“Shumica e tyre kanë ardhur në luftë vonë. Këta kanë bërë një ligj për tre muaj luftë, kanë harruar që lufta në disa rajone të Kosovës, në rastin konkret në Dukagjin, ka filluar në mars 1998, jo në mars 1999. Si rezultat i kësaj qasjeje, këta kanë lënë jashtë, pa ua dhënë të drejtën atyre që u takon, mijëra njerëzve në Dukagjin. A e kanë bërë me qëllim, apo e kanë bërë pa dijeninë e tyre, këtë nuk e di, por këta kanë bërë një të keqe të madhe. Duhet që ata që e kanë bërë këtë të keqe; Thaçi, Agim Çeku dhe kolegët e tyre; edhe ta korrigjojnë”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj tha se do të qëndrojë deri në fund prapa kërkesave legjitime të luftëtarëve të tij. Haradinaj tha se asnjëherë nuk është ftuar për bashkëpunim nga ana e Qeverisë për zbatimin e ligjit për veteranët.

“Qeveria, në bazë të funksioneve, ka ndërtuar komisionin për ta zbatuar ligjin, për t’iu dhënë të drejtën atyre që u takon. Këtë komision, në emër të Hashim Thaçit, e ka udhëhequr Agim Çeku, i cili ka kërkuar bashkëpunim me ata që ka vlerësuar ai. Ramush Haradinaj nuk ka qenë pjesë e këtij bashkëpunimi”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Të pakënaqur me ligjin për veteranët, deputetët e partisë së Haradinajt kanë nisur të enjten mocion për mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për ndryshimin e ligjit.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rrustem Berisha tha se ligji aktual nuk i trajton mirë luftëtarët, të cilët kanë luftuar në vitet 1997-1998, dhe si rrjedhojë shumë luftëtarë për shkak të këtij ligji nuk mund të gëzojnë statusin e veteranit.

Nismës së deputetëve të partisë së Haradinajt të enjten, nuk i janë bashkuar deputetë të partive të tjera politike.

Top Channel